Ferat Shala nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kritikoi qeverinë “Kurti” për manipulimin e statistikave të ekonomisë. Ai theksoi se shifrat e paraqitura nga ministri i Financave, Hekuran Murati, janë jo të qëndrueshme dhe se inflacioni real është shumë më i lartë.
“Tashmë është i njohur edhe publikisht manipulimi me numra dhe shifra i qeverisë Kurti e veçanërisht nga ministri i financave Murati. Ministri i financave Murati të gjitha shifrat e kalkuluara i ka jo të qëndrueshme dhe jo të bazuara , shkalla e inflacionit është shumë më e lartë”, tha Shala.
Shala vuri në dukje se mungesa e investimeve kapitale ka sjellë një rritje ekonomike të ulët dhe se qeveria po mundohet të mashtrojë opinionin publik me shifra jo reale, veçanërisht në prag të zgjedhjeve.
“Mungesa edhe e investimeve kapitale ka bërë që rritja ekonomike të jetë më e ulëta që ka që ka qenë ndonjëherë në periudha të caktuara të kohës siç është ky 3 mujor .
Realisht qeveria Kurti tashmë në prag të zgjedhjeve nacionale të vetmen mundësi e ka që të manipulojë me shifra duke u orvatur të mashtrojë opinionin e gjerë , fatkeqësisht shifrat reale tregojnë një situatë krejt tjetër”, deklaron deputeti Shala për FrontOnline.
A theksoi se, pas katër vjetësh në pushtet, nuk ka asnjë projekt të përfunduar që mund të matet për investime reale. Ajo gjithashtu kritikoi performancën e ndërmarrjeve publike si: Trepça dhe KEK-u, që janë në prag të falimentimit. Shala përmendi se aktualisht Kosova është importuese e energjisë, kur duhet të ishte eksportuese, duke e konsideruar këtë si një tregues të dështimeve të qeverisë.
“Në vitin e 4-të të kësaj qeverie nuk e kemi asnjë projekt të përfunduar, që mund të themi ose të kemi një parametër matës për investime reale në ekonomi .Ajo çfarë e vështirëson tej mase dhe e demanton qeverinë Kurti është performanca e të gjitha ndërmarrjeve publike siç është Trepça KEK-u dhe disa ndërmarrje tjera që janë në prag të falimentimit”, përfundon Shala.