Hamza nderon Afrim Bunjakun, vlerëson edhe punën e Prokurorisë që një vjet pas mblodhi fakte për aktakuzën ndaj 45 personave

11:32 | 24 Shtator 2024
hamza-nderon-afrim-bunjakun,-vlereson-edhe-punen-e-prokurorise-qe-nje-vjet-pas-mblodhi-fakte-per-aktakuzen-ndaj-45-personave

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka vlerësuar veprën e Afrim Bunjakut në njëvjetorin e rëniës së tij.

Hamza tha se Bunjaku ishte edhe polic i përgjegjshëm edhe njeri fisnik.

“Heronjtë janë gjithnjë të veçantë dhe i tillë është edhe Afrim Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës gjatë agresionit në Banjskë, më 24 shtator 2023. Polic i përgjegjshëm, prind i mrekullueshëm, qytetar i devotshëm dhe njeri shumë fisnik. Sot, një vjet më pas, nderojmë jetën dhe veprën e heroit Afrim Bunjaku dhe vlerësojmë vendosmërinë, guximin dhe shërbimin e të gjithë pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, që me këmbëngulje deri në vetëmohim përkushtohen çdo ditë për rend dhe ligj në tërë territorin e Kosovës”.

Hamza ka falënderuar edhe punën e institucioneve të drejtësisë dhe punën e Prokurorisë Speciale, për të cilën tha se arriti të grumbullojë faktet për ngritjen e aktakuzës ndaj 45 personave për sulmin terrorist.

“Sot, një vjet më pas, vlerësojmë lart punën e institucioneve të drejtësisë, punën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila ka arritur të grumbullojë mjaftueshëm fakte dhe ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin e armatosur në Banjskë. Agresioni në Banjskë ishte prej sulmeve më të mëdha të pasluftës mbi Republikën e Kosovës dhe shprehim mirënjohje edhe për pjesëtarët e KFOR-it dhe të gjitha shtetet partnere, që në forma të ndryshme ndihmuan atë ditë dhe po kontribuojnë vazhdimisht për forcimin e paqes dhe sigurisë në Kosovë e rajon”.

Hamza tha se nuk ka mënyrë më të mirë për t’i shërbyer atdheut sesa duke iu shërbyer qytetarëve pa dallime, “duke e ruajtur rendin publik dhe mbrojtur sovranitetin e Republikës së Kosovës, si shtëpi e përbashkët e të gjithë qytetarëve të saj”.

Komento: