Sulmi terro’rist në Banjskë/ Radojçiq i lirë në Serbi, Kosova shpreson në ekstradim nëpërmjet presionit ndërkombëtar

07:56 | 25 Shtator 2024
sulmi-terro’rist-ne-banjske/-radojciq-i-lire-ne-serbi,-kosova-shpreson-ne-ekstradim-nepermjet-presionit-nderkombetar

Një vit pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku u konfirmua roli kryesor i Milan Radojçiqit, ky i fundit vazhdon të qëndroj i paprekshëm nga autoritetet serbe. I është konfiskuar vetëm pasaporta dhe i është ndaluar largimi nga Serbia me detyrimin për t’u paraqitur në Policinë e Beogradit dy herë në muaj.

Për një vit, këto janë masat e vetme që kanë ndërmarrë autoritetet shtetërore të Serbisë kundër ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili publikisht ka pranuar përgjegjësinë për sulmin e armatosur kundër policisë së Kosovës në Banjskë.

Autoritetet në Serbi refuzojnë ta ekstradojnë Radoiçiqin në Kosovë dhe thonë se ai do të gjykohet nga “gjykatat serbe”, ndërsa zyrtarët në Kosovë thonë se ato i kanë ofruar mbrojtje atij.

Në një vjetorin e sulmit terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, këtë të fundit e ka përkujtuar ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde. Në llogarinë e tij në “X”, diplomati gjerman ka shkruar se shqetësues mbetet faktin se autori i këtij krimi mbetet ende i lirë në Serbi, ndonëse e ka pranuar fajin. Sipas tij, kjo mungesë përgjegjësie e dëmton paqen.

Edhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves në njëvjetorin e sulmit të Bajnskës ka falenderuar Policinë dhe Prokurorinë e Kosovës për punën e tyre.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ai ka kërkuar që autorët, duke përfshirë këtu Milan Radojiçiq, të sillen para drejtësisë.

Hargreaves ka kërkuar nga Serbia që t’i marrë masat e nevojshme për ta bërë këtë të mundur.

Enver Dugolli: Radojçiqi të ekstradohet në Kosovë, të bëjnë presion edhe ndërkombëtarët

Enver Dugolli, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, theksoi se Millan Radoiçiq duhet të ekstradohet në Kosovë, duke marrë parasysh pranimin e tij të fajësisë dhe përgjegjësisë për sulmin e armatosur ndaj policisë së Kosovës.

Refuzimi i autoriteteve serbe për ta dorëzuar Radoiçiqin dëshmon se ato qëndrojnë prapa këtij sulmi dhe se po e mbrojnë atë, si dhe të tjerët e përfshirë në incidentin e Banjskës.

“Normal që Radoiçiq duhet të ekstradohet në Kosovë, ai e a pranuar fajësinë , e ka pranuar përgjegjësinë, por Serbia heziton dhe nuk dëshiron ta ekstradojë gjë që e dëshmon edhe një herë atë konstatimin tonë që Serbia qëndron se Serbia qëndron prapa këtij sulmi dhe me vetë faktin që nuk bashkë punon i bie që ajo e strehon dhe e mbron Radoiçiqin dhe ata që janë të përfshirë në rastin e Banjskës”, tha Dugolli për FrontOnline.

Dugolli theksoi se presioni ndërkombëtar është thelbësor për të siguruar që Radoiçiqi të përballet me drejtësinë në Kosovë. Ai theksoi se, pa mekanizma që ta detyrojnë Serbinë, i vetmi rrugë është që bashkësia ndërkombëtare të angazhohet për këtë çështje. Situata vazhdon të mbetet e tensionuar ndërmjet dy vendeve, duke e bërë të domosdoshëm bashkëpunimin ndërkombëtar.

“Presioni ndërkombëtar  është thelbësor që Radoiçiqi të bie në duart e autoriteteve të Kosovës , sepse  Kosova nuk ka mekanizma të cilët do ta detyronin Serbinë që ta dorëzojë Radoiçiqin kështu  që e i vetmi mekanizëm është presioni ndërkombëtar”, përfundoi Dugolli.

Deputeti i PDK-së: Arrestimi në Serbi dhe dorëzimi në Kosovë  i Milan Radoiçiq duhet bërë përmes EULEX-it

Hisen Berisha nga Partia Demokratike e Kosovës  u deklarua në lidhje me mos ekstradimin e Milan Radoiçiq për Front Online dhe tha  se, sipas marrëveshjeve ndërkombëtare, çdo person i akuzuar për krime duhet të ekstradohet në shtetin që e kërkon atë.

“Bazuar në marrëveshjet ndërkombëtare apo ndërshtetërore çdo person që akuzohet për krime të caktuara duhet të ekstradohet në shtetin përkatës që  kërkon”, tha Berisha.

Ai përmendi se Radoiçiqi është qytetar i Kosovës dhe krimi është kryer në territorin e saj, duke e bërë Kosovën kompetente për ekstradim. Megjithatë, ai theksoi se situata është komplekse, pasi Serbia nuk e njeh Kosovën, dhe se EULEX-i ka rol në procesin e ekstradimit.

“Radoiçiqi është qytetar i Kosovës, krimi është kryer në Kosovë, do të thotë kompetenca lëndore i jep të drejtë Kosovës që ti ekstradojë , mirëpo ne kemi një rrethanë specifike sepse Serbia nuk e njeh Kosovën por është EULEX-i ai që e ka bërë marrëveshjen e ekstradimit në Serbi kështu që edhe dorëzimi i tij apo arrestimi në Serbi dhe dorëzimi në Kosovë duhet bërë përmës EULEX-it “, tha Berisha për FrontOnline.

Berisha theksoi se ka një mungesë angazhimi nga ana e Qeverisë së Kosovës për të bërë presion mbi partnerët ndërkombëtarë, sidomos në Bashkimin Europian, për të siguruar ekstradimin e Radoiçiqit. Ai kritikoi qeverinë për mos kushtëzimin e dialogut me arrestimin e tij dhe shprehu shqetësim për qëndrimin e ambasadorit Hovenier, i cili kërkoi argumente dhe fakte për të justifikuar arrestimin e Radoiçiqit.

“Ketu mungon angazhimi i Qeverisë së Kosovës tek partnerët ndërkombëtar në këtë rast te Bashkimi Evropian dhe tavolina e dialogut për ta bërë presionin e nevojshëm që të ekstradohet Radoiçiqi në Kosovë  E dimë se qeveria ka dalë pas rastit të Basnjkës dhe ka thënë se dialogu ka vdekur , atëherë në qoftë se ishte kështu pse e vazhduan, dhe atë pa asnjë pengesë si të mos ndodhte asgjë , dhe pse nuk e kushtëzuan dialogun me arrestimin e Radoiçiqit dhe më shqetësues është edhe qëndrimi i z.Hovenier kur thotë se Serbia ka kërkuar argumente dhe fakte për të pasur të drejtë të arrestohet Radoiçiqi që ta ekstradojë pastaj në Eulex ‘’, përfundoi Berisha.

Drizan Shala: Të gjithë e dimë se Beogradi e mbron Milan Radoiçiqin

Drizan Shala, ekspert i sigurisë, vuri në dukje mbrojtjen institucionale që Beogradi i ofron Radoiçiqit. Ai theksoi se ky fakt është i njohur dhe i lidhur me aktivitetet kriminale që kanë ndodhur në vitet e fundit, në veçanti në lidhje me kontrabandën dhe shitjen e drogës, ku Radoiçiq ka pasur një rol të rëndësishëm.

“Sa i përket mbrojtjes institucionale që i bëhet nga ana e Beogradit, krye terrorristit , Milan Radoiçiq e dimë të gjithë, ky është një fakt i ditur dhe që kjo po ndodh për arsye të aktiviteteve kriminale që janë krijuar gjatë viteve që  i kemi lënë pas në mes formacioneve politike dhe të familjes së presidentit Vuçiq në raport me kontrabandën shitjen e drogës dhe elementet e tjera kriminale”, tha Shala.

Shala përmendi gjithashtu lidhjet e Radoiçiqit me djalin e presidentit Vuçiq, duke theksuar se këto marrëdhënie krijojnë një alibi për veprimet e tij, që paraqesin një kërcënim për sigurinë kombëtare të Kosovës.

“Radoiçiq e ka një pjesë të aktivitetit kriminal që e ka zhvilluar djali i presidentit Alekasandër Vuçiq dhe për këtë gjë ka një alibi të veprimeve të tij që i ka bërë në drejtim të dënimit të rëndë të sigurisë nacionale të Republikës së Kosovës “, deklaroi Shala për FrontOnline.

Shala tha se Kosova ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të adresuar këtë situatë, ndërsa tani i mbetet të angazhohet në nivel diplomatik për të paraqitur kërkesat e saj në mënyrë sistematike. Këto kërkesa duhet të gjejnë mbështetje politike në proceset e integrimit euro-atlantik, duke kushtëzuar Serbinë me kapitujt për anëtarësim, në mënyrë që veprimet e këtij grupi dhe individëve të përfshihen në proceset e drejtësisë të Kosovës.

“Kosova tanimë ka ndërmarre të gjitha veprimet që janë dashur të bëhen tani mbetet në nivelin diplomatik që të paraqesë kërkesat në mënyrë sistematike dhe këto kërkesa të gjejnë hapësirën e duhur politike  të mbështetjes në proceset e ndryshme politike dhe rrugës në integrimin në rrugën euro atlantike që do të duhej ti ndërmarrë Kosova dhe Serbia dhe të kushtëzohet Serbia me kapitujt për anëtarësim që veprimet e ndërmarra  nga ky grup dhe nga ky formacion e individ të vihen para organeve të drejtësisë”, përfundoi Shala.

Përndryshe, para dy jave Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzën për rastin Banjska, ku implikohen 45 veta.

 

Komento: