Drizan Shala: Të gjithë e dimë se Beogradi e mbron Milan Radoiçiqin

10:00 | 25 Shtator 2024
drizan-shala:-te-gjithe-e-dime-se-beogradi-e-mbron-milan-radoiciqin

Drizan Shala, ekspert i sigurisë, vuri në dukje mbrojtjen institucionale që Beogradi i ofron Radoiçiqit. Ai theksoi se ky fakt është i njohur dhe i lidhur me aktivitetet kriminale që kanë ndodhur në vitet e fundit, në veçanti në lidhje me kontrabandën dhe shitjen e drogës, ku Radoiçiq ka pasur një rol të rëndësishëm.

“Sa i përket mbrojtjes institucionale që i bëhet nga ana e Beogradit, krye terrorristit , Milan Radoiçiq e dimë të gjithë, ky është një fakt i ditur dhe që kjo po ndodh për arsye të aktiviteteve kriminale që janë krijuar gjatë viteve që  i kemi lënë pas në mes formacioneve politike dhe të familjes së presidentit Vuçiq në raport me kontrabandën shitjen e drogës dhe elementet e tjera kriminale”, tha Shala.

Shala përmendi gjithashtu lidhjet e Radoiçiqit me djalin e presidentit Vuçiq, duke theksuar se këto marrëdhënie krijojnë një alibi për veprimet e tij, që paraqesin një kërcënim për sigurinë kombëtare të Kosovës.

“Radoiçiq e ka një pjesë të aktivitetit kriminal që e ka zhvilluar djali i presidentit Alekasandër Vuçiq dhe për këtë gjë ka një alibi të veprimeve të tij që i ka bërë në drejtim të dënimit të rëndë të sigurisë nacionale të Republikës së Kosovës “, deklaroi Shala për FrontOnline.

Shala tha se Kosova ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të adresuar këtë situatë, ndërsa tani i mbetet të angazhohet në nivel diplomatik për të paraqitur kërkesat e saj në mënyrë sistematike. Këto kërkesa duhet të gjejnë mbështetje politike në proceset e integrimit euro-atlantik, duke kushtëzuar Serbinë me kapitujt për anëtarësim, në mënyrë që veprimet e këtij grupi dhe individëve të përfshihen në proceset e drejtësisë të Kosovës.

“Kosova tanimë ka ndërmarre të gjitha veprimet që janë dashur të bëhen tani mbetet në nivelin diplomatik që të paraqesë kërkesat në mënyrë sistematike dhe këto kërkesa të gjejnë hapësirën e duhur politike  të mbështetjes në proceset e ndryshme politike dhe rrugës në integrimin në rrugën euro atlantike që do të duhej ti ndërmarrë Kosova dhe Serbia dhe të kushtëzohet Serbia me kapitujt për anëtarësim që veprimet e ndërmarra  nga ky grup dhe nga ky formacion e individ të vihen para organeve të drejtësisë”, përfundoi Shala.

Përndryshe, para dy jave Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzën për rastin Banjska, ku implikohen 45 veta.

Komento: