Rohde thotë se Kosova mund t’i kursejë deri në 55 milionë euro me anëtarësim në SEPA, përfiton edhe diaspora

18:36 | 25 Shtator 2024
rohde-thote-se-kosova-mund-t’i-kurseje-deri-ne-55-milione-euro-me-anetaresim-ne-sepa,-perfiton-edhe-diaspora

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka thënë se Kosova  mund të kursejë deri në 55 milionë euro në vit, duke iu bashkuar Tregut Unik të Pagesave në Euro (SEPA-s).

Sipas Rohdes, përfituesit nga anëtarësimi i Kosovës në SEPA janë diaspora, përfituesit e remitancave e partnerët tregtarë, duke forcuar kështu, sipas tij, ekonominë e Kosovës.

“Arritja e kësaj kërkon më shumë integrim ekonomik me rajonin dhe Bashkimin Evropian”, tha Rohde, transmeton Klankosova.tv.

Pjesë e diskutimit “Bashkimi në Sistemin SEPA – Përfitimet ekonomike për Kosovën” ishte edhe zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi.

Përmes një postimi në platformën X, ai tha se gjatë këtij diskutimi theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në SEPA “si një hap i mëtejmë drejt integrimit në familjen evropiane”.

Tutje, gjatë këtij diskutimi, Bislimi nënvizoi punën që po zhvillohet në lidhje me miratimin e tri ligjeve të domosdoshme, ai për bankat, për shërbimet e pagesave dhe ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

“Gjithashtu, zëvendëskryeministri theksoi se edhe Banka Qendrore e Kosovës ka draftuar 20 rregullore që ndërlidhen me SEPA, të cilat pritet të kalojnë për miratim pas aprovimit të këtyre ligjeve në Kuvendin e Republikës”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Komento: