Apeli vërteton aktgjykimin lirues ndaj ish-ministres Dhurata Hoxha dhe të tjerëve lidhur me akuzën për korrupsion

15:15 | 26 Shtator 2024
apeli-verteton-aktgjykimin-lirues-ndaj-ish-ministres-dhurata-hoxha-dhe-te-tjereve-lidhur-me-akuzen-per-korrupsion

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimi lirues të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, dy ish-sekretarëve të ministrisë, Demush Shasha dhe Kushtrim Cukaj, si dhe Fitim Mustafës e Nuhi Osmanit, lidhur me akuzën për korrupsion.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 28 prill 2024, kishte liruar nga akuza Hoxhën dhe katër të tjerët, me arsyetimin se nuk janë provuar faktet konkrete që përbëjnë elemente të kryerjes së veprës penale.

Përmes aktgjykimit të 26 shtatorit 2024, Apeli ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës Kosovës, ndërsa ka vërtetuar aktgjykimin e Themelores, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Apeli ka vlerësuar se aktgjykimi i ankimuar nuk është përfshirë në shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 të KPP, nga fakti se dispozitivi është i qartë dhe në përputhje me arsyetimin e tij, në të cilin janë paraqitur arsyet e plota dhe të qarta të fakteve vendimtare dhe zgjidhjes së çështjeve juridike të kësaj çështje penale dhe se nuk përmban asnjë shkelje tjetër e cila kishte për të kushtëzuar anulimin e detyrueshëm të aktgjykimit të ankimuar.

Lidhur me pretendimin ankimor të Prokurorisë se shkalla e parë gabimisht dhe në mënyrë jo të plotë ka vërtetuar gjendjen faktike dhe me këtë është shkelur Ligji Penal pasi nuk janë vlerësuar në mënyrë të duhur provat e paraqitura nga Prokuroria, Apeli ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë gjendjen faktike dhe përkitazi me këtë ka dhënë arsyet të qarta dhe konkrete në aktgjykimin e ankimuar.

Sipas Apelit, Themelorja ka gjetur me të drejtë se nga provat e administruara nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën janë akuzuar, andaj edhe kolegji penal i kësaj gjykate i ka liruar të njëjtit nga akuza e PSRK-së, për veprat penale për të cilat i ka akuzuar, pasi nuk është vërtetuar se në veprimet e tyre fitohen elementet e veprës penale e në veçanti elementi subjekti- dashja direkte.

Komento: