Gashi takohet me Zelayan në Nju Jork, nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi

11:02 | 27 Shtator 2024
gashi-takohet-me-zelayan-ne-nju-jork,-nenshkruajne-memorandum-mirekuptimi

Në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Liza Gashi, u takua me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Hondurasit, Gerardo Torres Zelaya.

Në këtë takim, ku u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, nënshkruan një memorandum mirëkuptimi ndërmjet akademive diplomatike.

“Ky memorandum shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe përfaqëson një veprim konkret në fuqizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, duke krijuar mundësi të reja për shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e trajnimit diplomatik dhe të bashkëpunimit bilateral. Të dy zëvendësministrat u shprehën se ky bashkëpunim do t’i forcojë edhe më tej lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Hondurasit”, thuhet në komunikatën e MPJD-së.

“Gjithashtu, u diskutua për fuqizimin e bashkëpunimit në fushën e diasporës, tregtisë dhe investimeve, me fokus të veçantë në fushat e interesit të ndërsjellë. Zëvendësministrja Gashi theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për intensifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe”.

Komento: