Kërkohet përjashtimi i prokurorit nga lënda për vras’jen tek “Tranziti i ri” në Prizren

07:57 | 28 Shtator 2024
kerkohet-perjashtimi-i-prokurorit-nga-lenda-per-vras’jen-tek-“tranziti-i-ri”-ne-prizren

Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prziren, në gjykimin për vrasjen e M.K., me thikë tek “Tranziti i ri” në Prizren, i akuzuari Albert Ademaj ka kërkuar përjashtimin e prokurorit Genc Nixha nga kjo lëndë.

Në këtë rast, Orhan dhe Albert Ademaj ngarkohen se më 1 maj 2020 në Prizren, saktësisht në rrugën “Ismail Kryeziu” tek i ashtuquajturi “Tranziti i ri”, në bashkëkryerje, me dashje nga motivi i hakmarrjes, privojnë nga jeta tani të ndjerin M.K., raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Ademaj kërkoi nga trupi gjykues përjashtimin e prokurorit Nixha, me arsyetimin se gjatë tërë kohës ka provokuar dhe kërcënuar me fjalë të ndryshme.

Po ashtu, i akuzuari ka arsyetuar kërkesën e tij duke theksuar fjalët më të cilat, sipas tij, prokurori i ishte drejtuar atij, duke i thënë “ulu aty edhe mos e lyp thikën ti”.

“Gjithashtu na ka quajtur edhe “terroristë” dhe se gjatë tërë kohës është përzier në dhënien e deklarimeve të dëshmitarëve”, tha i akuzuari Ademaj.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Orhan Ademaj, avokati Blerim Mazreku ka propozuar që të dëgjohen edhe një herë të gjithë dëshmitarët dhe të zbardhet rasti në lidhje me thikën e tani të ndjerit, ashtu siç edhe ka udhëzuar Gjykata e Apelit.

Sipas avokatit Mazreku, dëshmitari kryesor i Prokurorisë është Miran Halili dhe se i njëjti është i njohur për gjykatën ngase është i paraburgosur pasi akuzohet për vrasjen e prindit të tij. Tha se ky dëshmitar ka probleme me shëndetin dhe këtë e tregojnë dokumentacionet mjekësore.

Mazreku po ashtu tha se Prokuroria tani të ndjerit M.K., i kishte ngritur aktakuzë 19 ditë pasi që ka ndërruar jetë, lidhur me rastin që dy vite më parë tani i ndjeri e kishte therur me thikë të akuzuarin Orhan Ademaj në gjoks.

Sipas tij, vetë Prokuroria me mostrajtimin e rastit “e ka marrë në qafë të ndjerin dhe të akuzuarin”.

Kurse, prokurori Nixha ka thënë se mbrojtja e ka kthyer vendimin e Gjykatës së Apelit në favorin e tyre. Tha se ky rast është kthyer në rigjykim për shkak të ricilësimit në lidhje me bashkëkryerjen e veprës penale dhe ndihmës në kryerjen e veprës penale.

Gjithashtu, prokurori Nixha ka propozuar që deklaratat e dëshmitarëve të lexohen, duke theksuar se nuk ka nevojë që ata të rimerren sërish në pyetje për dhënien e dëshmisë.

Propozimin për leximin e deklaratave të dëshmitarëve e kundërshtoi avokati Mazreku, pasi dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë e ka konsideruar mëse të nevojshme, përveç nënës së tani të ndjerit Z.K., për të cilën propozoi të mos dëgjohet.

Por, kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi e ka kundërshtuar propozimin e porokurorit Nixha lidhur me leximin e deklaratave të dëshmitarëve. Ajo ka aprovuar propozimin që të mos dëgjohet dëshmitarja- nëna e të ndjerit Z.K.

Në këtë seancë u dëgjua edhe vëllai i tani të ndjerit P.K., i cili u pyet nëse ka qenë në dijeni se ndaj vëllait të tij kishte ndonjë aktakuzë të ngritur lidhur me therjen e tani të akuzuarit.

Për këtë, P.K., tha se nuk ka qenë në dijeni lidhur me aktakuzën për të cilën pretendonte prokurori dhe shtoi se qëndron pranë të gjitha deklarimeve që i ka dhënë më parë.

Pas kësaj, seanca e sotme u ndërpre, ndërsa kërkesa për përjashtimin e prokurorit të rastit do të dërgohet tek u.d. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren në gjykimin e parë, më 28 dhjetor 2023 të akuzuarin Orhan Ademaj e kishte dënuar me 22 vjet burgim, kurse të akuzuarin Albert Ademaj me 13 vjet burgim. Por, ky rast është kthyer në rigjykim me vendimin e Gjykatës së Apelit të datës 3 maj 2024.

Ndryshe, Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 30 tetor 2020, Orhan Ademaj dhe Albert Ademaj, akuzohen se më 1 maj 2020 në Prizren, saktësisht në rrugën “Ismail Kryeziu” tek i ashtuquajturi “Tranziti i ri”, në bashkëkryerje me dashje nga motivi i hakmarrjes, privojnë nga jeta tani të ndjerin M.K.

Tutje sipas aktakuzës thuhet se ditën kritike derisa të pandehurit ishin në qarkullim me veturën e tyre të markës “Golf III”, të cilën ishte duke e drejtuar i pandehuri Albert Ademaj, në momentin që e vërejnë tani të ndjerin M.K, i cili ishte në cilësinë e pasagjerit në motoçikletën e dëshmitarit Miran Halili, i përcjellin me automjetin e tyre së pari në lagjen “Ortakoll” dhe iu afrohen motoçikletës.

Bazuar në aktakuzë, vetë dëshmitari Miran deklaron se ka vërejtur thikën në dorën e të pandehurit Orhan dhe me qëllim të shmangies së konfliktit eventual i njëjti duke e drejtuar motoçikletën lëvizë në drejtim të lagjes “Arbanë”, gjithnjë duke u ndjekur pas nga të pandehurit, të cilët kanë qenë në veturën e tyre.

Sipas aktakuzës, kur arrijnë në rrugën “Ismail Kryeziu” tek i ashtuquajturi “Tranzit i ri” në Prizren, e cila rrugë nuk ka dalje e që vërehet nga kamerat e sigurisë të vendosura në shtëpitë përskaj rruge është regjistruar veprimi i të pandehurve, të cilët me automjetin e tyre iu janë vënë pas dhe e kanë goditur motoçikletën.

Thuhet se pas kësaj, i pandehuri Orhan pasi që del nga automjeti i afrohet të ndjerit M. dhe në konflikt me viktimën e godet me thikë në pjesën ballore të gjoksit, pas së cilës me të shpejtë kthehet në automjet dhe largohen nga vendi i ngjarjes derisa viktima duke e mbajtur dorën në plagën e shkaktuar, pas së cilës ka ardhë auto ambulanca – emergjenca në vendin e ngjarjes dhe viktima është dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren.

Me këtë rast, sipas aktakuzës është vërtetuar se i njëjti në emergjencë ka arritur pa shenja jete, sipas raportit të mjekut kujdestar Sadri Hulaj me nr.3227, të datës 1 maj 2020.

Me këto veprime, Orhan dhe Albert Ademaj akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” për të cilën vepër penale parashihe dënim me jo më pak se 10 vite burgim ose me burgim të përjetshëm.

Komento: