I suksesshëm apo i dështuar mësimi tërëditor në Prishtinë? Flasin ekspertët e arsimit

08:40 | 28 Shtator 2024
i-suksesshem-apo-i-deshtuar-mesimi-tereditor-ne-prishtine?-flasin-ekspertet-e-arsimit

Komuna e Prishtinës ka shpallur zyrtarisht një program të ri të mësimit gjithë ditor, i cili do të implementohet në pesë shkolla të Kryeqytetit.

Ky program synon të përmirësojë cilësinë e arsimit dhe të avancojë aftësitë e fëmijëve përmes aktiviteteve jashtë kurrikulare. Mësimi tërë ditor veçse ka filluar në tri shkolla pilot në komunën e Prishtinës: shkollën “Model”, “Afrim Gashi” dhe “Faik Konica” .

Në lidhje me mësimin tërë ditor për Front Online janë deklaruar njohësit e fushës së Arsimit.

Rinor Qehaja për mësimin tërë ditor: Pilotimi në disa shkolla të Prishtinës është duke u dëshmuar i suksesshëm

Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard për Front Online tha se mësimi tërë ditor është një iniciativë thelbësore që mund të sjellë përfitime të rëndësishme për nxënësit, nëse zbatohet me sukses.

Ai thekson se për të arritur qëndrueshmëri, është e domosdoshme të ketë një strukturë të fortë, investime adekuate dhe përkushtim.

“Mësimi tëre ditorë është iniciativë e rëndësishme që nëse mirë zbatohet mund të kthehet në përfitim për nxënësit. Mësimi tërë ditor kërkon strukturë, investime dhe përkushtim që na garanton qëndrueshmëri”, tha Qehaja për Front Online.

Qehaja përmend pilotimin e suksesshëm në disa shkolla të Prishtinës, duke theksuar se planifikimi dhe zbatimi i aktiviteteve pas mësimit të rregullt janë çelësi për angazhimin efektiv të nxënësve dhe për realizimin e objektivave arsimore.

“Pilotimi në disa shkolla të Prishtinës është duke u dëshmuar i suksesshëm. Planifikimi dhe zbatimi i aktiviteteve në periudhën e pasdites është ajo çfarë e garanton suksesin e kësaj – pra çfarë është angazhimi I nxënësve pas mësimit të rregullt”, përfundon Qehaja.

Deputeti i VV-së: Konsideroj që nuk janë bërë përgatitje të mëdha për mësimin tërë ditor

Lidhur me mësimin tërë ditor për Front Online është deklaruar deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Jahja Kokaj.

Kokaj përshëndet mësimin tërë ditor, duke e konsideruar një aktivitet të rëndësishëm për zhvillimin kreativ.

“Parimisht unë e përshëndes mësimin tërë ditor dhe e kemi përshëndetur të gjithë sepse çdo aktivitet kreativ është i rëndësishëm “, tha Kokaj për FrontOnline.

Ai shpreh shqetësimin për mungesën e përgatitjes paraprake, qoftë logjistike, pedagogjike apo didaktike, duke theksuar se suksesi i tij në vende të tjera tregon se nevojitet një përgatitje e mirëfilltë.

“Jam koshient për faktin se mësimi tërë ditor ka pasur tendencë që të realizohet edhe në vitin 2013 apo 2015 po ashtu në Prishtinë, po që si duket nuk doli i suksesshëm ai aktivitet, ne e kemi parë që është një tendencë e re, dy shkolla kanë filluar aktivitetin e mësimit tërë ditor, por që në fillim kam pasur rezerva në bazë të asaj që deklarohet se mungon një përgatitje paraprake e nevojshme qoftë ajo logjistike apo strukturale, pedagogjike didaktike”, u shpreh deputeti.

Kokaj thekson se mësimi tërë ditor duhet të forcojë njohuritë dhe aftësitë, por aktualisht mungojnë përgatitjet e nevojshme për mësuesit.

Ai sugjeron që, nëse përgatitjet nuk janë adekuate, aktiviteti të ndërpritet dhe të rinis pas një përgatitjeje të plotë, duke u fokusuar në krijimin e një ambienti të përshtatshëm për nxënësit.

“Konsideroj që përgatitje të mëdha nuk janë bërë për mësimin tërë ditor , mungojnë në bazë të asaj çfarë është deklaruar dhe mendoj se për realizime të tilla duhet të jenë në radhë të parë të përgatitur arsimtarët e mësuesit me një përgatitje e cila për mendimin tim fatkeqësisht akoma mungon”, deklaron deputeti.

Në përfundim, ai rekomandon që iniciativat të mos nisin me ngut, por pas një përgatitjeje të plotë për të garantuar rezultate pozitive.

“Ndoshta më mirë është të fillohet vitin e ardhshëm dhe të mos bëhet në mënyrë të vrullshme sepse kështu i ngjajnë një aktiviteti për tu “dukur” për tu dukur si artistike por pa përgatitje që qon në rezultate të dobëta si në monotoni dhe ngarkesë”, përfundon Kokaj.

Xhavit Rexhaj: Mësimi tërë ditor është provuar para 7-8 viteve, nuk ka rezultuar mirë

Ish/zëvendësministri i Arsimit ,Xhavit Rexhaj ka shprehur për Front Online dyshime për efektivitetin e programit duke e ditur se ky lloj programi ka dështuar para ca viteve dhe ka sugjeruar që ky program të trajtohet si projekt pilot dhe të rishikohet pas një viti për të vlerësuar ndikimin e tij në ngritjen e cilësisë së arsimit.

“Kjo mënyrë është provuar më herët para 7-8 viteve, dhe kjo nuk ka dalë shumë e mirë për Prishtinën, prandaj kam disa rezerva për organizimin selektiv ,ndoshta të shikohet si pilot projekt edhe pas një viti të shihet pilot projekti a është përmirësuar cilësia e mësimit në këto 5 shkolla pastaj të vendoset që të shpërndahet në të gjitha shkolla ashtu do të mund ta kisha kuptuar këtë pilot projekt në aplikimin e aktiviteteve plotësuese në këto shkolla”, tha Rexhaj për Front Online.

 

Komento: