SBASHK-u kërcënon me veprime sindikale nëse nuk dalin pagat sot

12:45 | 01 Tetor 2024
sbashk-u-kercenon-me-veprime-sindikale-nese-nuk-dalin-pagat-sot

Kryetari i Sindikatave të Bashkuara të Arsimit, Shkencës e Kulturës (SBASHK) ka paralajmëruar veprime sindikale nëse edhe sot nuk dalin pagat e mësueseve.

Rrahman Jasharaj, kryetar i SBASHK-ut, ka shprehur shqetësim të thellë për mosekzekutimin e pagave për punonjësit e arsimit dhe sektorëve të tjerë.

“SBASHK-u e ka marrë me shqetësim këtë situatë të re dhe jemi në konsultime me kryetarët e nivelit komunal dhe të universiteteve dhe nga tereni po na vijnë shqetësime të arsyeshme të punëtorëve të arsimit”, tha Jasharaj për Front Online.

Ai theksoi se kjo situatë po krijon vështirësi të mëdha financiare për shumicën e punonjësve, të cilët e kanë pagën burim kryesor të jetesës.

Ai kërkoi nga Ministri i Financave që pagat të procedohen menjëherë, duke paralajmëruar se çdo vonesë mund të sjellë pasoja serioze, veçanërisht për ata që kanë kredi dhe janë të rrezikuar nga rritja e kamatave.

“ Kërkuam nga ministri Murati që është fajtori kyç i këtij problemi që të gjejë zgjidhje të mundshme ligjore që pagat të procedohen që sot ngase pjesa më e madhe e punëtorëve të arsimit por edhe të sektorëve tjerë, burim kryesor e kanë pagën, aq më keq një numër i madh i tyre janë edhe me kredi dhe çdo vonesë në procedim të pagave mund t’iu krijojë probleme shtesë te këstet e kredive gjegjësisht te kamatat sepse bankat mund të shtojnë kamatën për vonesë të pagesës së kësteve”, deklaroi ai.

Jasharaj më tutje theksoi se situata është kritike dhe kërkon veprim të menjëhershëm nga autoritetet për të garantuar stabilitetin e institucioneve. Ai paralajmëroi se nëse pagat nuk procedohen, SBASHK-u do të shqyrtojë mundësitë për veprime sindikale.

“Pra është situatë e keqe dhe ministri Murati është dashur me kohë të dijë se me ushtrues detyre nuk mund të mbahen institucionet , ne i bëmë me dije ministrit Murati se nëse pagat nuk procedohen qe sot ne do të shqyrtojmë mundësitë dhe duke mund të priten edhe veprime sindikale “, përfundoi Jasharaj. / Front Online /

 

 

Komento: