Ministria e Financave: Një pjesë të punonjësve në Komunën e Vitisë nuk i ekzekutohen pagat

18:24 | 01 Tetor 2024
ministria-e-financave:-nje-pjese-te-punonjesve-ne-komunen-e-vitise-nuk-i-ekzekutohen-pagat

Ministria e Financave ka njoftuar se një pjesë e punonjësve të Komunës së Vitisë nuk janë ekzekutuar pagat gjatë ditës së sotme.

Përmes një postimi në Facebook, Ministria e Financave ka thënë se Komuna e Vitisë nuk siguron buxhetin e nevojshëm, duke shtuar se pagat ekzekutohen vetëm për një pjesë të punonjësve të komunës.

“Me qëllim që të mundësohet ekzekutimi i pagave për të gjithë punonjësit e komunës, Thesari i ka dërguar në vazhdimësi njoftime Komunës së Vitisë, përfshirë edhe ditën e djeshme, të cilëve u është dhënë mundësia gjatë gjithë ditës duke i pritur që t’i bëjnë rregullimet e nevojshme për të siguruar buxhet të mjaftueshëm për ekzekutim të plotë të pagave”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet sistemi me automatizëm i ka refuzuar sot ekzekutimet për programet që nuk kanë buxhet të mjaftueshëm, kurse pagat e shtatorit janë ekzekutuar për Kryetarin, administratën dhe programet tjera.

“Pra, për zyrën e kryetarit, administratën dhe programet tjera sistemi ka bërë ekzekutimin e pagesave, por jo edhe për programet e arsimit fillor e të mesëm, sepse komuna nuk është siguruar që në këto dy programe ka buxhet të mjaftueshëm. Duke qenë të vetëdijshëm për situatën e të punësuarve dhe nevojën për të pranuar pagën e tyre, MFPT është e gatshme që kurdo që Komuna e Vitisë bën përshtatjet e nevojshme dhe siguron buxhetin e mjaftueshëm, të bëjmë një ri-ekzekutim të pagave vetëm për këto dy programe”, thuhet tutje.

Komento: