Kurti takon zëvendëskryeministrin e Polonisë, flasin për mundësitë që Kosova ofron në sektorin e teknologjisë

16:09 | 02 Tetor 2024
kurti-takon-zevendeskryeministrin-e-polonise,-flasin-per-mundesite-qe-kosova-ofron-ne-sektorin-e-teknologjise

Një tjetër takim ka zhvilluar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë qëndrimit të tij në Varshavë. Kreu i ekzekutivit kosovar këtë të mërkurë ka zhvilluar takim biletaral me numrin dy të shtetit polak që është edhe ministër i Çështjeve Digjitale, Krzysztof Gawkowski.

Sipas njoftimit nga Kryeministria të dy diskutuan për marrëdhëniet ndërshtetërore dhe potencialin që sektori i teknologjisë paraqet për thellimin e tyre dhe përfitimin e dyanshëm.

Siç bëhet e ditur, kryeministri e ka njoftuar zëvendëskryeministrin polak me përparësitë që Kosova ofron në këtë sektor dhe ofertën që paraqet për kompanitë dhe investitorë nga Polonia.

Gjithashtu gjatë këtij takimi siç thuhet është theksuar vullneti për bashkëpunim në fushën e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike derisa zëvendëskryeministri Gawkowski e ka përgëzuar Kosovën për investimet në këto dy fusha.

Kryeministri Kurti dhe zëvendëskryeministri Gawkowski kanë diskutuar edhe për përgatitjet dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve gjatë Presidencës polake të Këshillit të Bashkimit Evropian në pjesën e parë të vitit 2025.

Komento: