Kërkohet nga Qeveria të parandalojë përjashtimin e Kosovës nga Procesi i Berlinit

19:36 | 02 Tetor 2024
kerkohet-nga-qeveria-te-parandaloje-perjashtimin-e-kosoves-nga-procesi-i-berlinit

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka mbajtur sot një tryezë diskutimi në të cilën ka publikuar Raportin e dytë të monitorimit mbi zbatimin e zotimeve nga ana e Kosovës në kuadër të Procesit të Berlinit, me fokus në Tregun e Përbashkët Rajonal dhe Agjendën e Gjelbër.

Gjatë shpalosjes së raportit Violeta Haxholli nga KDI tha se, është analizuar Progresi i Kosovës në këtë proces, ku janë identifikuar sfidat në zbatimin e zotimeve nga ana e Kosovës dhe janë sugjeruar hapa konkret për zbatim efektiv.

Raporti është një burim i rëndësishëm për deputetët e Kuvendit për të mbajtur llogaridhënëse Qeverinë lidhur me përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga Procesi i Berlinit.

Panelistët e ftuar në këtë diskutim ishin deputetët e Kuvendit, konkretisht anëtaret e Komisionit për Integrim Evropian, si një nga komisionet kryesore mbi fushëveprimin e të cilit bie procesi i Berlinit.

Kryetarja e komisionit, njëherësh deputete e LDK-së Rrezarta Krasniqi, kritikoi qeverinë për vendime të pakoordinuara, duke theksuar se Kosova është në sanksione nga Bashkimi Evropian dhe se Gjermania ka paralajmëruar përjashtimin e Kosovës nga ky proces.

“Mbikëqyrja parlamentare është thelbësore për mbajtjen e qeverisë llogaridhënëse”, tha Krasniqi, duke theksuar mungesën e transparencës dhe mos pjesëmarrjen e ministrave në raportim para komisionit.

Tutje ajo shoti se si opozitë, janë të gatshëm të mbështesin marrëveshjet, por kërkojnë transparencë dhe përkushtim nga Qeveria për interesat strategjike të vendit.

Në anën tjetër, anëtarja e komisionit, deputetja e LVV-së Fjolla Ujkani tha se Kosova ka bërë përparime të rëndësishme në procesin e integrimit evropian, duke u renditur e dyta në rajon për miratimin e marrëveshjeve të Berlinit, por sfidat mbeten të shumta.

“Zbatimi efektiv i këtyre marrëveshjeve kërkon angazhim të përbashkët nga të gjitha institucionet dhe qytetarët”, shtoi ajo.

Më tutje Ujkani theksoi se tensionet në rajon, veçanërisht me Serbinë, kërkojnë një konsensus kombëtar për të avancuar agjendën evropiane, dhe është thelbësore që Kuvendi të punojë i bashkuar për të përfituar maksimalisht nga ky proces.

Anëtarja tjetër e komisionit për integrim evropian nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se është e rëndësishme që Kuvendi të ketë mekanizma për të monitoruar zbatimin e marrëveshjeve që burojnë nga procesi i Berlinit, por se procesi zgjedhor që po afrohet mund ta vështirësojë rolin mbikëqyrës të Kuvendit.

Ajo shtoi se paralajmërimet nga Gjermania për mundësinë e përjashtimit të Kosovës janë serioze dhe duhet të merren seriozisht nga Qeveria, pasi kjo do të dëmtonte ekonominë e vendit.

“Kosova ka sfida në çështje të klimës, fqinjësisë së mirë dhe sigurisë, dhe ne duhet të veprojmë në përputhje me kërkesat e partnerëve tanë për të siguruar përfitime për qytetarët tanë, shkruan telegrafi. Një konsensus kombëtar është i nevojshëm për të përmirësuar situatën tonë, sepse pa unitet, do të jemi të izoluar në proceset integruese”, shtoi Deliu-Kodra.

Anëtarja e Komisionit nga AAK, Time Kadrijaj tha se është thelbësore që deputetët dhe stafi i Kuvendit të angazhohen aktivisht në Procesin e Berlinit, duke marrë pjesë në proces dhe të kontribuojnë në formulimin e qëndrimeve të qarta.

Sipas saj, Gjermania duhet të luajë një rol më të fortë mbikëqyrës për të siguruar që marrëveshjet e arritura të zbatohen nga shtetet e Ballkanit Perëndimor.

“Si deputetë, ne nuk duhet të pozicionohemi si pozitë dhe opozitë, por të bashkohemi për të lehtësuar rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Qeveria duhet të na ofrojë dokumente që të mund të mbrojmë interesat tona, dhe duhet të punojmë së bashku për të eliminuar sanksionet që e pengojnë zhvillimin tonë ekonomik”, shtoi ajo.

Pjesëmarrësit në këtë diskutim theksuan nevojën për angazhim më të madh në përmbushjen e detyrave që dalin nga procesi i Berlinit dhe kritikuan mungesën e transparencës dhe përfshirjes së shoqërisë civile nga Qeveria dhe Kuvendi. Në anën tjetër përfaqësues të institucioneve theksuan sfidat dhe vështirësitë në miratimin e projektligjeve dhe zbatimin e tyre në praktikë për shkak të konteksti të ndryshëm në Kosovës nga ai i BE-së.

Ndërsa, përfaqësuesit ndërkombëtarë kërkuan nga qeveria që të zbatojë obligimet nga marrëveshjet e procesit të Berlinit dhe më gjerë dhe të ruajë stabilitetin rajonal, duke inkurajuar gjithashtu transparencën dhe llogaridhënien në proceset integruese.

Komento: