Blakaj drejtues i ri i AAK-së në Istog në vend të Bekë Berishës, Haradinaj e nominon edhe për kryetar komune

15:42 | 04 Tetor 2024
blakaj-drejtues-i-ri-i-aak-se-ne-istog-ne-vend-te-beke-berishes,-haradinaj-e-nominon-edhe-per-kryetar-komune

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se kanë mbajtur sot Kuvendin e degës së partisë në Istog prej ku edhe kanë zgjedhur kryetar të degës, Ukë Blakajn.

Blakaj ka zëvendësuar në këtë pozitë deputetin Bekë Berisha dhe në të njëjtën kohë është nominuar edhe kandidat për kryetar të Komunës për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Haradinaj në njoftim ka thënë se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit me AAK-në në Qeveri, Istogu do të bëhet pikënisje e Autostradës së Dukagjinit..

Postimi i plotë i Haradinajt:  

Në Kuvendin e degës së Aleancës në Istog dhe në hapjen e selisë së re të degës, një qytet me të cilin kam lidhje të thella emocionale që nga lufta për liri.

Rezultat i këtij kuvendi, është zgjedhja e kryetarit të ri të degës së Istogut, z. Ukë Blakaj, një afarist i suksesshëm nga diaspora. Këtë detyrë deri sot me shumë sukses e kreu Bekë Berisha, aktualisht deputet, i cili angazhimin e tij për vendin do ta vazhdojë nga pozicione të tjera partiake dhe parlamentare.

Angazhimi ynë për të sjellë përvojë dhe energji të reja në radhët tona është i vazhdueshëm. Ukë Blakaj gjithashtu është nominuar si kandidat për kryetar të Komunës së Istogut dhe ka marrë miratimin për të garuar edhe për ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Pas 9 shkurtit, me Aleancën në qeveri, Istogu do të shndërrohet në pikënisjen e Autostradës së Dukagjinit, një projekt madhështor që do ta lidhë me Prizrenin. Kjo do të hapë mundësi të reja zhvillimi për të gjithë rajonin.

Së bashku, jemi të vendosur ta shndërrojmë Istogun dhe mbarë Kosovën në një destinacion tërheqës për investime, me ekonomi të zhvilluar dhe të integruar plotësisht në NATO e BE.

Komento: