Oda Ekonomike Amerikane thotë se Qeveria ka ndryshuar masën e sigurisë për produktet e importuara nga Serbia

13:22 | 07 Tetor 2024

Oda Amerikane ka përshëndetur vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndryshimin e masës së sigurisë për produktet e importuara nga Serbia.

Në një komunikatë për media, OEA thotë se vendimi për ndalimin e importit nga Serbia, ka pasur ndikim në interesat komerciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

“Për më shumë se një vit, Oda Amerikane ka përsëritur se një vendim i tillë ka pasur ndikim negativ në interesat komerciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe ka qenë në kundërshtim me frymën e promovuar nga Marrëveshja për Tregtinë e Lirë e Evropës Qendrore (CEFTA), por edhe zotimet e ndërmarra nga Kosova në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në reagimin e OEA.

Sipas OEA-së, masa e ndalimit ka rrezikuar edhe pjesëmarrjen e Kosovës në nismat e bashkëpunimit rajonal, me pasoja të rënda për ekonominë dhe procesin e integrimit euro-atlantik të Kosovës.

Oda Amerikane i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që sa më shpejt të fuqizojë mekanizmat e kontrollit në të gjitha vendkalimet kufitare, ashtu që masa aktuale e sigurisë të mund të shfuqizohet në tërësi.

“Hapi i sotëm i Qeverisë së Kosovës është megjithatë inkurajues dhe dëshmi se Kosova mbetet e përkushtuar në promovimin e lëvizjes së lirë të mallrave ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe avancimit të përpjekjeve për krijimin e tregut të përbashkët rajonal”, thuhet në reagim.

Komento: