Rizvanolli: Që nga janari kur e zgjidhëm çështjen e mospagesës së rrymës në veri, konsumi ra për 35%

15:40 | 10 October 2024
rizvanolli:-qe-nga-janari-kur-e-zgjidhem-ceshtjen-e-mospageses-se-rrymes-ne-veri,-konsumi-ra-per-35%

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se për 24 vjet, qeverisë e Kosovës nuk mund të zgjidhnin problemin e konsumit në veri të vendit.

Sipas saj, nga 1 janari i vitit 2024 kur e zgjodhën çështjen e mospagesës së energjisë në katër komunat veriore të Kosovës, konsumi ra për 35 për qind, njofton Klankosova.tv.

“Propaganda, lajmet e rrejshme, lufta hibride me anë të përmbajtjes së krijuar me inteligjencë artificiale flasin ndryshe e shumë, por faktet në secilën fushë flasin saktë e qartë!”, shkruan Rizvanolli.

“Ishte një kohë kur në veri lulëzonin laboratorët e drogës, mihja e kriptovalutave, e biznese tjera ilegale të kriminelëve të të gjitha etnive së bashku. Konsumi i energjisë rritej në mënyrë jonormale, 8-13% për çdo vit, e këtë e paguanim ne qytetarët tjerë. Rezultatet e luftës nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës kundër krimit të organizuar filluan të shihen më 2022-3, me rënie 2.5% dhe 8% të konsumit të energjisë. E që nga 1 janari 2024 kur e zgjidhëm çështjen e mospagesës së energjisë në katër komunat veriore të Kosovës, konsumi ra për 35%”.

“Rikujtojmë që kjo barrë për 24 vite u kushtoi qytetarëve të Republikës së Kosovës 348 milionë euro”.

Komento: