Avokati i Popullit gjeti shkelje, avokati Makolli: MPJD-ja veproi kundërligjshëm, shpërfilli dispozitat

12:29 | 12 Tetor 2024

Pak më parë, Nacionale raportoi për një opinion të Avokatit të Popullit, i cili ka kritikuar MPJD-në për vendimet për shkarkimin e nëntë diplomatëve, duke theksuar se ka pasur shkelje dhe cenim të sigurisë juridike.

Në lidhje me këtë, avokati Ngadhnjim Makolli, i cili ishte shkarkuar si diplomat dhe ishte ankuar te Avokati i Popullit, tha se opinioni është i bazuar dhe i mirëpritur.

“Prandaj, konkluzioni se veprimet e Ministrisë kanë qenë të kundërligjshme, kundërkushtetuese dhe në kundërshtim me parimet bazë të së drejtës dhe sundimit të ligjit, është më se i drejtë dhe i mbështetur” – ka thënë Makolli për Nacionalen.

Në përgjigjen e tij, Makolli ka vlerësuar se MPJD-ja ka bërë shkelje të dyfishtë.

“Në rastin konkret, Ministria jo vetëm që ka shpërfillur dispozitat kushtetuese dhe ligjore të brendshme të Kosovës, por gjithashtu ka vepruar në kundërshtim me standardet ndërkombëtare të mbrojtura nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo përbën një shkelje të dyfishtë – si të legjislacionit të brendshëm, ashtu edhe të detyrimeve ndërkombëtare që ka marrë përsipër Republika e Kosovës” – ka theksuar Makolli.

Duke folur për cenimin e sigurisë juridike, Makolli ka sqaruar se vendimet e MPJD-së janë të rrezikshme.

“Në këtë kontekst, mënyra se si Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka marrë këto vendime është jo vetëm e gabuar, por edhe e rrezikshme për mirëqenien e të drejtave të punonjësve të saj. Vendimet për largimin nga puna të këtyre zyrtarëve janë marrë pa ndonjë proces transparent dhe pa respektuar standardet ligjore. Kjo qasje është kundër frymës së sundimit të ligjit dhe drejtësisë që duhet të karakterizojë çdo veprim të administratës publike” – ka shtuar Makolli.

Komento: