Barcelona jep lajmin më të keq të mundshëm për Suarezin

21:06 | 09 Maj 2019

Duket se një lajm aspak i mirë ka ardhur për skuadrën e Barcelonës.

Suarez do të operohet dhe me këtë rast, do të humbasë finalen e Copa del Rey që do të zhvillohet me 25 maj.

Luis Suarez mund të qëndrojë për disa muaj larg fushave pasi Barcelona ka konfirmuar se sulmuesi uruguaian do të operohet në gjurin e djathtë.

“Luis Suarez ka një dëmtim në meniskun e gjurit të djathtë dhe Dr. Cugat do të merret me ndërhyrjen kirurgjikale të uruguaianit nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor të klubit”, shkruhet në komunikatën zyrtare të klubit.

Ndër të tjera, klubi shton se faza e rikuperimit do të lajmërohet pasi të jetë kryer operacioni.

32-vjeçari ka shënuar 25 gola këtë edicion në të gjitha garat dhe ka bërë edhe 13 asiste.

Uruguaiani e përfundoi ndeshjen në Anfield kundër Liverpoolit pa asnjë problem, por gjuri e shqetësonte atë gjatë gjithë sezonit dhe më në fund ka vendosur t’i nënshtrohet operacionit tani pasi synim kryesor është të jetë gati për sezonin e ardhshëm.

Komento: