Steinbaum: Krijimi i Asociacionit nga qeveria e Kosovës bie ndesh me Kushtetutën

11:08 | 15 October 2024
steinbaum:-krijimi-i-asociacionit-nga-qeveria-e-kosoves-bie-ndesh-me-kushtetuten

Grupi për Politikat dhe të Drejtën Ndërkombëtare Publike në Uashington publikoi këto ditë një raport në të cilin thotë se kërkesat ndaj autoriteteve shtetërore të Kosovës për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe se do të shkeleshin kompetencat që kjo kushtetutë ua jep autoriteteve komunale.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, njëri prej autorëve të raportit, Jason Steinbaum, i cili në të kaluarën ishte këshilltar i kryetarit të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel, tha se procesi i Asociacionit, i cili është çështja kryesore që ka shkaktuar përplasjet më të mëdha ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, është politizuar dhe se rruga kushtetuese, përmes të cilit komunat mund ta krijojnë vetë asociacionin, është rrugëdalje nga ngërçi.

“Raporti ynë përshkruan procesin të cilin e parashtron Kushtetuta e Kosovës dhe Kushtetuta e Kosovës paraqet një proces në bazë të së cilit vetëm komunat kanë autoritetin për të krijuar asociacione. Pra, nëse ato e duan një të tillë, sipas analizës që i kemi bërë Kushtetutës së Kosovës, atëherë le ta krijojnë. Ato mund ta krijojnë asociacionin në çdo moment që dëshirojnë, pavarësisht asaj që thotë komuniteti ndërkombëtar, autoritetet shtetërore të Kosovës apo qeveria e Serbisë, apo pavarësisht dialogut. E kanë autoritetin ta bëjnë një gjë të tillë që tani, sipas kushtetutës së Kosovës”.

“Një pikë e rëndësishme e raportit tonë është që komunat kanë kompetencat për krijimin e asociacionit. Por në mënyrë që komunat ta bëjnë këtë veprim, duhet të kenë zyrtarë të zgjedhur dhe kjo do të thotë që komuniteti serb vendas duhet të marrë pjesë me kandidatë në zgjedhje. Ata kanë bojkotuar zgjedhjet, kryesisht të nxitur nga Beogradi gjatë viteve të fundit. Por shpresoj se në të ardhmen do të vendosin të kandidojnë në zgjedhje për këto poste të qeverisjes vendore. Dhe nëse duan ta themelojnë asociacionin atëherë nëpërmjet këtyre të zgjedhurve nga zgjedhjet demokratike, atëherë do të kenë kompetencat dhe zyrtarët për ta bërë një gjë të tillë. Do të ishte një fitore e dyfishtë për komunitetin, Kosovën, për bashkësinë ndërkombëtare, sepse ata do ta fitonin asociacionin e tyre, por edhe zyrtarët e tyre të zgjedhur, të cilët të gjithë dëshirojmë t’i shohim të kandidojnë në zgjedhje dhe të marrin detyrën në postet e tyre”, tha ai.

Komento: