Abdixhiku fton qytetarët: Ta bëjmë bashkë Republikën që e meritojmë

11:01 | 16 October 2024
abdixhiku-fton-qytetaret:-ta-bejme-bashke-republiken-qe-e-meritojme

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka dalë me një reagim pas përplasjeve pozitë- opozitë për çështjen e ushqimit në FSK dhe disa bisedave që u publikuan së fundi në media, siç është ajo e Dejona Mihalit me Nagip Krasniqin dhe Mimoza Kusarit me Igor Simiqin.

Abdixhiku ka thënë se “paniku i pushtetit pas shpërthimeve të skandaleve të njëpasnjëshme, po i shtynë ata drejt një gjuhe të zakonshme ofenduese – përplot urrejtje e mllef”.
Ai ka shtuar se sa më të thella janë skandalet aq më të thella janë ofendimet.

Abdixhiku ka thënë se zgjedhjet e 9 shkurtit nuk do të bëhen se kush shan më mirë dhe se për këtë ua jep medaljen që tani VV-së.

“Sa më të thella skandalet, aq më të thella ofendimet! Skandalet do të thellohen, me to dhe ofendimet. Sepse sharja është e lehtë, sidomos për ata që se bëjnë dot një shenjë ani pse kishin 51% e plot 12 miliardë euro buxhet! Por zgjedhjet e ardhshme s’bëhen se kush shanë e kush pështynë më mirë. Po ua japim këtë medalje që në fillim.”

I pari i LDK-së ka thënë se zgjedhjet e ardhshme do të bëhen për çmimet e larta, pagat e ulëta, shkollat e dobëta, spitalet e vjetëruara, për hapin e Kosovës drejt familjes euroatlantike.

Ai ka shtuar se ky rrugëtim nuk bëhet me mllef e ndarje e me kaq pak rezultat.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për bashkimin e më të mirëve “sepse jemi pak për t’i lejuar të na ndajnë e jemi shumë prapa për t’i lejuar të na mbajnë aty”.

“Zgjedhjet e ardhshme bëhen për çmimet e larta, pagat e ulëta, investimet që s’bëhen, punët që s’janë, ikjen masive, shkollat e dobëta e spitalet e vjetëruara; për përballjet e brengat e familjeve kosovare nga mëngjesi deri në mbrëmje! Zgjedhjet e ardhshme bëhen për hapin e domosdoshëm të Kosovës drejt familjes euroatlantike; aty ku Shqipëria dje nisi anëtarësimin – e ne vazhdojmë nën masa, pa njohje e pa anëtarësime. Këtu, në këtë fushë do të na gjeni ne. Mua dhe ekipin tim të programit ‘Rruga e Re’; këtu, në këtë përpjekje, do të përpiqemi të bëjmë bashkë secilin që ndjenë se rrugëtimi i domosdoshëm i Republikës nuk bëhet dot me kaq shumë mllef e ndarje, me kaq pak rezultat. Kosova ka nevojë për përbashkimin e më të mirëve sepse jemi pak për t’i lejuar të na ndajnë e jemi shumë prapa për t’i lejuar të na mbajnë aty!”

“Nga sot, deri më 9 shkurt, ju ftoj të bëni këtë rrugëtim me mua. Rrugën, drejt një Republike që e meritojmë, drejt shpresës e jetës së mirë, duhet ta bëjmë bashkë. Dhe rrugën do ta bëjmë bashkë!”

Komento: