Britania e shqetësuar me mungesën e progresit në Dialog, vlerëson qeverinë për lejimin e mallrave serbe

17:08 | 17 October 2024
britania-e-shqetesuar-me-mungesen-e-progresit-ne-dialog,-vlereson-qeverine-per-lejimin-e-mallrave-serbe

OSBE-ja në Kosovë është bërë me Ushtrues Detyre të Shefit të Misionit.

Këtë organizatë, pas largimit të ambasadorit Michael Davenport, do ta drejtojë Cornelia Taylor.

Kjo e fundit, ditën e sotme iu adresua Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë.

Veç saj, fjalim mbajti edhe ambasadori britanik në OSBE, Neil Holland.

Duke iu referuar raportit të Taylor të prezantuar në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së, Holland tha se Mbretëria e Bashkuar ndan vlerësimin në Raport “për mungesën shqetësuese të progresit drejt normalizimit Kosovë-Serbi, i cili vazhdon të ketë implikime negative për jetën e përditshme të qytetarëve të zakonshëm dhe për stabilitetin më të gjerë në Ballkanin Perëndimor”.

“Në këtë kontekst, ne mirëpresim vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për heqjen e ndalimit të hyrjes për mallrat serbe, si një hap pozitiv drejt mundësimit të tregtisë së lirë në të gjithë Ballkanin Perëndimor, dhe duke u dhënë qytetarëve në të gjithë rajonin mundësinë për të korrur përfitimet ekonomike nga përafrimi më i afërt me fqinjët e tyre evropianë”, ka thënë ndër të tjera Holland.

Ai tha se Britania vazhdon t’u bëjë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të përmbushin detyrimet e tyre përkatëse, “duke përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

Mbretëria e Bashkuar, tha Ambasadori Holland, do të vazhdojë të inkurajojë Kosovën që të sigurojë që komunitetet joshumicë të mund të luajnë një rol të plotë dhe të barabartë në të ardhmen e vendit.

“Ne kemi qenë të qartë me të gjithë bashkëbiseduesit se çdo veprim që ndikon në mirëqenien e serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera joshumicë kërkon konsultim të kujdesshëm me miqtë e Kosovës dhe partnerët e sigurisë, për të shmangur nxitjen e tensioneve dhe disfavorizimin e më të cenuarve. Të gjitha komunitetet joshumicë duhet të jenë të lira të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike dhe të integrohen më tej në shoqërinë kosovare”.

“Ne vazhdojmë t’i inkurajojmë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në procesin demokratik, të marrin role në shërbimin publik dhe t’i shërbejnë komuniteteve të tyre”, potencoi ambasadori britanik në OSBE, Neil Holland.

Më tej, ai u ndal edhe te rasti Banjska i vitit të kaluar, teksa tha se Mbretëria e Bashkuar rithekson rëndësinë e garantimit të drejtësisë dhe llogaridhënies për të gjitha aktet e dhunës.

“Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë që të bashkëpunojë plotësisht me përpjekjet për të mbajtur përgjegjësinë për sulmin tronditës në Banjskë në shtator 2023 dhe ndaj trupave të KFOR-it të NATO-s në maj 2023, dhe të veprojë në luftimin e kontrabandës së armëve ndërkufitare”, deklaroi Holland.

Ambasadori britanik në OSBE ripotencoi përkushtimin e vendit të tij ndaj Kosovës.

“Mbretëria e Bashkuar mbetet një mbështetëse e kamotshme dhe e fortë e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. Ne jemi të përkushtuar të mbështesim një demokraci gjithëpërfshirëse, të larmishme dhe multietnike në Kosovë dhe pjesëmarrjen e saj të plotë në sistemin ndërkombëtar”, u shpreh Neil Holland, ambasador britanik në OSBE.

Komento: