Ministri Maqedonci mohon se FSK e ka humbur një dron: Përkundrazi, flota e dronëve është shtuar dhe po vazhdon të shtohet

23:38 | 17 October 2024
ministri-maqedonci-mohon-se-fsk-e-ka-humbur-nje-dron:-perkundrazi,-flota-e-droneve-eshte-shtuar-dhe-po-vazhdon-te-shtohet

Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Ejup Maqedonci, ka mohuar humbjen e një droni, siç tha sonte në Pressing në T7 anëtari i kryesisë së AAK-së Daut Haradinaj. Në një përgjigje për Gazetën Express, ministri Maqedonci tha se “flota e dronëve vëzhgues dhe sulmues është shtuar edhe pas blerjes së parë dhe po vazhdon të shtohet”.

Ish-deputeti Daut Haradinaj, duke iu referuar fotografive të kryeministrit Albin Kurti pranë dronëve Bayraktar tha se “amaterizimi i tyre që dalin bojnë foto me drona e ju humbin natën është humoristik dhe vepër penale”.

Haradinaj këmbënguli se informatën për humbjen e dronit e ka edhe ministri Maqedonci, “kjo është 1 miliard % e vërtetë, ai zotëria e di më më mirë, ju ka humb droni”, tha Haradinaj në Pressing.

Por, ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, mohon humbjen e dronit.

Madje ministri shton se “asgjë e pavërtetë që thuhet për FSK-në nuk i kontribuon zhvillimit”.

“Forca e Sigurisë së Kosovës po zhvillohet si një forcë profesionale, e ndërveprueshme me NATO-n dhe e gatshme për të kryer detyra te saj bazuar në mision. Asgjë e pavërtetë që thuhet për të nuk i kontribuon zhvillimit të saj, përkundrazi mbështetë tentativat për minimim e një pune kolosale brezash duke përfshirë edhe vet kontributin e çmuar të zotit Haradinaj për një ushtri të gatshme për mbrojtje të territorit”, tha Maqedonci për Gazetën Express.

Kosova ka blerë dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia vitin e kaluar.

Komento: