Komandanti i FSK në Uashington, takon shefin e shtabit të ushtrisë amerikane, flasin për bashkëpunim bilateral

14:08 | 19 October 2024
komandanti-i-fsk-ne-uashington,-takon-shefin-e-shtabit-te-ushtrise-amerikane,-flasin-per-bashkepunim-bilateral

Me ftesë të Asociacionit të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (AUSA), Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka marrë pjesë në Konferencën Vjetore dhe Panairin e Industrisë së Mbrojtjes “AUSA 2024” në Washington D.C, SHBA.

Forca e Sigurisë së Kosovës njofton se Jashari u takua me shefin e Shtabit të Ushtrisë Amerikane, Gjeneral Randy A. George, ku u diskutua lidhur me bashkëpunimin bilateral mes dy ushtrive, stërvitjet e përbashkëta si dhe aktivitetet e tjera të përbashkëta.

Jashari falënderoi George për mbështetjen e vazhdueshme si dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të mëtutjeshëm.

“Më pas Gjeneral Jashari u takua me Komandantin e Komandës së Asistencës Ushtarake të Ushtrisë Amerikane, Gjeneral Brigade Allan J. Pepper, ku u diskutua lidhur me asistencën në projektet e sistemeve të armatimit, pakot e trajnimit si dhe fusha tjera përkatëse”, tha FSK.

Përveç pjesëmarrjes në sesionet kryesore të konferencës dhe panairit, FSK thotë se Jashari gjithashtu u takua me përfaqësuesit e disa prej agjencive kyçe të mbrojtjes me fokus të veçantë rreth bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes.

“Po ashtu, u njoftua me zhvillimet më të fundit teknologjike, përmes prezantimeve informuese dhe paneleve të diskutimit mbi fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Në aktivitetet përkatëse, Gjeneral Jashari theksoi rëndësinë e madhe dhe mundësinë e shkëlqyer që ka pjesëmarrja në këtë aktivitet ndërkombëtar, për të vlerësuar faktin që krahas ndryshimit të kontekstit gjeopolitik, avancimit të teknologjisë ushtarake dhe avancimit të bashkëpunimit me shtetet aleate”.

“Vizita e Gjeneral Jasharit është shumë e rëndësishme në procesin e zhvillimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përderisa FSK po hyn në fazën përfundimtare të procesit të tranzicionit. Gjithashtu kjo vizitë shprehu rëndësinë e partneritetin tonë shumë të ngushtë me SHBA-në në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes”, tha FSK./Express/

 

 

 

Komento: