Nga premtimi ‘’Qeveri me duar të  pastra”, tek qeverisje me intervistime e akuza për korrupsion

08:08 | 20 Tetor 2024
nga-premtimi-‘’qeveri-me-duar-te -pastra”,-tek-qeverisje-me-intervistime-e-akuza-per-korrupsion

Kishin premtuar se do të qeverisnin me duar të pastra e madje kishin premtuar edhe investim për zgjerimin e Burgut të Dubravës, pasi që për ta, para ardhjes në pushtet, Burgu i Dubravës, ishte i vogël, por me ardhjen e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, gjërat ndryshuan e premtimet mbetën vetëm në letër.

Përveç se nuk u luftua korrupsioni, ai veç sa u zgjerua e përveç se u zgjerua, u krijuan afera, skandale nëpër ministri e dikastere tjera të kësaj partie.

Ministra, zyrtarë të qeverisë, të ministrive të kësaj qeverie, udhëheqës të institucioneve tjera e njerëz me peshë në Vetëvendosje, ishin të ftuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës, pas shumë publikimeve në media, sa për aferat me grurë e vaj, sa për kontratat e nënshkruara e sa edhe për bisedat e publikuara nga media, ku implikoheshin zyrtarë të partisë në pushtet.

Ministrja e tregtisë, Rozeta Hadari, zëvendësi i ministrisë së Infrastrukturës, Hysen Durmishi, gruaja më e fuqishme në VV, Dejona Mihajli, ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berisha, personi i afërm me Kurtin, Ridvan Muharremi, Nafiz Muharremi zyrtar i Ministrisë së Infrastrukturës, janë vetëm disa nga figurat që u intervistuan nga drejtësia në vend, për të bëmat e tyre.

Beqa: Qeveria Kurti s’ka as vullnet e as dije ta luftoj korrupsionin

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, për Front Online, thotë se Qeveria Kurti i ka dërguar gjitha Institucionet e vendit, duke theksuar që sipas tij se nuk e di se si luftohet korrupsioni, kur kryeministri i pengon organet e drejtësisë për të zgjedhur kryeprokurorin.

‘’Kjo qeveri i ka degraduar Institucionet në të gjitha sektorët kemi problemi shkaku i kësaj Qeverie. Nuk e di qysh e lufton një Qeveri korrupsionin kur kryeministri e pengon Këshillin Prokurorial për me zgjedh një kryeprokuror qysh luftohet korrupsioni pa pas kryeprokuror e me ushtrues detyre që katër vite’’ thotë ai.

Beqa, shprehet se pushteti po e lufton korrupsionin duke mbrojtur të akuzuarit për korrupsion.

‘’Këta kanë menduar ta luftojnë korrupsionin kur kryeministri, ministrja e Drejtësisë, deputetët të mazhorancës kur arrestohet apo merret ne pyetje për keqpërdorim këta dalin në mbrojtje të tyre dhe akuzojnë opozitën’’ potencon deputeti i PDK-së.

Deputeti i PDK-së, deklaron se Qeveria Kurti, nuk e ka luftuar korrupsionin, por i ka mbrojtur akterët e korruptuar të afërm me Qeverinë.

‘’Kjo Qeveri as dije as vullnet s’ka pas me luftuar korrupsionin por e ka promovuar duke i mbrojtur akterët e saj që kanë keqpërdor’’ deklaroj ai.

 

Nga LDK: Kurti duhet ta rritë Burgun e Dubravës për njerëzit e tij

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Ekrem Hyseni, për Front Online, ka folur për intervisitimet dhe arrestimet e zyrtarëve të VV-së, figurave të afërta me kryeministrin Albin Kurti nga ana e institucioneve të drejtësisë.

Hyseni, ka rikujtuar edhe deklaratën e kryeministrit Kurti, i cili para se të bëhej kryeministër kishte thënë se do të duhej të rritej Burgu i Dubravës, në mënyrë që të korruptuarit të dërgohen në të.

”Kurti ka pasur të drejt kur ka thënë se duhet me e rritë Burgun e Dubravës, sepse ka nevojë për njerëzit e tij’’ tha Hyseni.

Ai thotë se është ditur se proklamomi i Kurtit se do të qeverisë me duar të pastra, ka qenë thjeshtë propagandë e tyre.

‘’U pa edhe puna e qeverisjes me duar të pastra ka qenë pjesë e propagandës së tij dhe ne kemi qenë të bindur se nuk është ashtu. Komunikimet, vizitat në Prokurori të njerëzve të tij, është më e pakta që ka mundur të ndodh deri sot, nga korrupsioni masiv që ka kjo Qeveri dhe njëkohësisht komunikimet e rrezikshme të njerëzve të VV-së me njerëz të dyshimtë që paraqesin rrezik për vendin tonë’’ thekson ai.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, shprehet se pret nga institucionet e drejtësisë të merret me figurat e afërta të VV-së, pas keqpërdorimit dhe funksionit e parasë publike.

‘’Mendoj se shteti duhet merret edhe me këto komunikime, përveç dyshimeve serioze për korrupsion, për keqpërdorim të funksionit dhe parasë publike” potencoj Hyseni.

 

Izmaku: 9 shkurti do të kthej një faqe tjetër të historisë politike

Anëtarja e Kryesisë së NISMA-s, pjesë e koalicionit AAK-NISMA, Xhevahire Izmaku, për FrontOnline, thotë se premtimet e Qeverisë Kurti i kanë pare në një relacion të keq dhe zhgënjyes.

‘’Ne si koalicion premtimet e Qeverisë aktuale i kemi pa ne një relacion të një realiteti të keq e shumë zhgënjyes! Konstenca e vetme që ka vazhduar nga kjo qeveri, ka qenë popullzimi në vazhdimësi dhe mungesa totale e realizimit të premtimeve! Duke filluar nga mungesa e zhvillimit ekonomik e rritja e pagave, mungesa e cilësisë në arsim e shëndetësi, mos realizimi i asnjë projekti madhor por zhagitja dhe lënia peng e shumë prej këtyre nismave’’ thotë ajo.

Izmaku, potencon se Kosova s’ka qenë kurrë më keq se sa me Qeverinë Kurti.

‘’N ë aspektin e politikave te jashtme, asnjëherë nga paslufta Kosova nuk ka qenë me keq, aleatet tanë janë të zhgënjyer dhe humbëm shume mundësi në anëtarësime sa i përket organizatave ndërkombëtare’’ potencon ajo.

Anëtarja e Kryesisë së NISMA-s, thotë se Qeveria Kurti ka dështuar në secilën pore.

‘’Qeveria dështoi me gjithë numrin e madh që e patën të deputetëve, ne shumicën e projektligjeve dhe humbi në fund të mandatit edhe numrin e mazhorancës! 9 shkurti do të ktheje një faqe tjetër të historise politike në vend, duke sjelle qeveri të përgjegjshme nga oppzita që  rikthen dinjitetin e shtëtesisë dhe besimin e aleatëve tanë  që ndihmuan lirinë tonë dhe shtetformimin’’ shprehet ajo. Izmaku, thekson se VV akoma po vazhdon ta shpërfaq arrogancën e saj.

‘’E gjithë skandalet korruptive e nepotizmi, u shperfaqën me shumicë e arrogancë dhe vazhdon edhe sot kur unë po e bëjë këtë potencim!’’ tha ajo,

 

Matoshi e quan organizatë leniniste VV-në: Institucionet e pavarura po e mbrojnë shtetin nga populistët e Kurtit

Analisti politik, Halil Matoshi, për Front Online, ka komentuar arrestimet dhe intervistimet e njerëzve të afërm të VV-së, por edhe ministrave dhe zyrtarëve tjerë të kësaj partie nga Prokuroria e Shtetit.

Ai thotë se institucionet e pavarura i kanë intensifikuar veprimet e tyre në mbrojtje të shtetit dhe lirisë.

‘’Institucionet e pavarura e me integritet të shtetit i kanë intensifiku veprimet në mbrojtje të lirisë dhe shtetit kombëtar, nga sulmet e një organizate leniniste që po sillet si parti shtet’’ thotë ai.

Matoshi thotë se rezistenca ka filluar nga Prokuroria, për të vazhduar nga Gjykata Kushtetuese e Këshilli Prokurorial.

‘’Rezistenca ka filluar së pari nga Prokuroria, nga Gjykata Kushtetuese, Këshilli Prokurorial e tash edhe nga opozita’’ shton Matoshi.

Analisti politik, thekson se shteti po mbrohet nga populistët e Kurtit.

‘’Shteti po mbrohet nga popullistët antistabilishment të Kurtit’’ u shpreh ai për FrontOnline.

Komento: