Moisiu: Shqipëria dhe Kosova të kenë strategji të përbashkët të mbrojtjes

10:38 | 20 October 2024
moisiu:-shqiperia-dhe-kosova-te-kene-strategji-te-perbashket-te-mbrojtjes

Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë një strategji të përbashkët të mbrojtjes, thotë ish-presidenti shqiptar, Alfred Moisiu. Ai thekson se dy vendet duhet të kenë bashkëpunim më të madh edhe ndërmjet shtabeve të ushtrive pasi që vetëm në këtë mënyrë, sipas tij, mund të përballohet çfarëdo lloj aventure e Serbisë.

Në një intervistë për KosovaPress, Moisiu thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është ideatori kryesor i agresionit ndaj Kosovës, përmes sulmit terrorist në Banjskë.

Sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit kishte ndodhur më 24 shtator të vitit të kaluar, nga një grup i serbëve të armatosur, transmeton Klankosova.tv.

Përgjegjësinë për sulmin terrorist e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, parti kjo e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Megjithatë, ish-presidenti i Shqipërisë thekson se dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë derisa kërkon nga autoritetet kosovare koordinim më të madh me aleatët, veçmas me Shtetet e Bashkuara.

“Kam kritikuar edhe qeverinë në Shqipëri dhe atë të Kosovës, pasi duhet të koordinojmë më shumë dhe më mirë. Të kenë një strategji mbrojtjeje të përbashkët si komb. Duhet të bashkëpunojnë dhe ministritë e mbrojtjes dhe shtabet e përgjithshme, të ushtrisë shqiptare dhe të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Në këtë mënyrë ne do të jemi më solid dhe të gatshëm për të përballuar çdo lloj aventure”, thotë ai.

Sipas tij, është e pa imagjinueshme që presidenti serb të mos ketë qenë i kyçur në sulmin terrorist në Banjskë.

Moisiu përmend ambiciet hegjemoniste të Serbisë mbi Kosovën, megjithatë thekson se dialogu i Brukselit duhet të vazhdojë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

Ish-presidenti i Shqipërisë thekson nevojën që udhëheqësit në Kosovë të koordinohen me aleatët, veçmas me Shtetet e Bashkuara, për veprimet në veri.

Qeveria e Kosovës është kritikuar edhe nga Shtetet e Bashkuara për veprime që ata i kanë konsideruar të njëanshme.

Këtë vit, autoritetet kosovare kanë ndërmarrë disa veprime në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe – në mesin e tyre mbylljen e strukturave paralele serbe si dhe ndalimin e përdorimit të dinarit serb.

 

Komento: