Gashi i LDK-së i kërkon dorëheqje Kurtit

11:38 | 27 October 2024
gashi-i-ldk-se-i-kerkon-doreheqje-kurtit

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së Arben Gashi, po i kërkon dorëheqje kryeministrit Albin Kurti.

Ai gjatë një interviste për KosovaPress, tha se VV-ja ka humbur shumicën parlamentare në kuvend, përcjell Klankosova.tv.

Gashi kërkon dorëheqjen, që vendi të shkojë sa më shpejtë në zgjedhje, pasi sipas tij, po dëshmohet se pushteti aktual nuk është i aftë për të qeverisur vendin.

Ai tha se mazhoranca në kuvend për shkak të humbjes së numrave s’po merr pjesë në seanca të jashtëzakonshme, si dhe nuk po thërret seanca të rregullta plenare.

“Vetëvendosja s’po merr pjesë në komisione. Vetëvendosja s’po merr pjesë në seanca. Vetëvendosja po i dështon seancat. Vetëvendosja po i dështon komisionet hetimore parlamentare dhe po e dështon punën e Kuvendit. Kjo është si rezultat i mungesës së kontrollit nga ana e Vetëvendosjes. Ata s’kanë vullnet të kenë bashkëpunim. Kjo mungesë e vullnetit të bashkëpunimit është evidente në këtë legjislaturë. Për herë të parë në historinë e parlamentarizmit në Kosovë nuk është arritur asnjë kompromis, bashkëpunim dhe koordinim mes pushtetit dhe opozitës.. Ne jemi në një situatë ku nuk ka shumicë parlamentare. S’ka shumicë qeverisje dhe LVV-ja nuk është e aftë të qeverisë vendin. Në këtë situatë normale duhet që kryeministri të jep dorëheqje dhe të hap rrugën për zgjedhje sa më shpejtë që është e mundur”, thekson Gashi.

Javë më parë nga VV-ja janë larguar tre deputetë. Deputetët Eman Rrahmani dhe Visar Korenica kanë dhënë dorëheqje nga partia në pushtet dhe janë deputetë të pavarur, kurse deputetja Drita Millaku ka aderuar në LDK.

Më parë nga VV-ja, janë larguar edhe deputetët, Haki Abazi dhe Fatmir Humolli.

Përveç deputetes Millaku, shefi i deputetëve të LDK-së, paralajmëron se shumë shpejtë edhe deputetë të tjerë të LVV-së, do të aderojnë në LDK.

Në anën tjetër, mazhoranca s’ka marrë pjesë në katër seanca të jashtëzakonshme të kuvendit, të thirrura nga opozita.

Komento: