Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka kritikuar ashpër qeverinë pas publikimit të Raportit të Progresit, duke theksuar mungesën e luftimit të korrupsionit dhe shpërdorimin e fondeve.
Ajo ka akuzuar qeverinë se po shpërndan fonde për “haverat e vet” ndërkohë që bllokon fondet publike.
“Është adresuar prej raportit të progresit, është mungesa e luftimit të korrupsionit, imagjinoni ju e kemi një pushtet që lavdërohet për bllokim të fondeve derisa shpërndan fonde për “haverat” e vet, nëse mundem me fol kaq bufaleshit. Për tenderët sekret, pra nëqoftëse unë jam në pushtet edhe unë nuk e hapi një tender publik, por e thirri [x personin], për besë diçka nuk është në rregull aty, pse atë”, ka deklaruar ajo në Debat Plus të Dukagjinit.
Duke përmendur tenderët sekret dhe favorizimin e individëve specifikë në pozita kyçe, Kica-Xhelili vuri në dukje ndikimin e njerëzve të afërt me pushtetin.
Kica-Xhelili ka kritikuar gjithashtu bllokimin e buxhetit në kohë krizash, duke theksuar se “rritja prej vetëm 0.5% është tregues i një buxheti të bllokuar për qëllime elektorale”.