Bashkëshortja e Ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe nipi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, janë një hap larg drejt rrugës për t’u zgjedhur anëtarë të Bordit të Drejtorëve të KOSTT’it. Ata janë në mesin e gjashtë kandidatëve, emrat e të cilëve i janë përcjellë Kuvendit për votim të fshehtë nga Paneli Përzgjedhës, për tri pozita të lira në KOSTT.
Lumnije Zeka është renditur e pesta me 33 poena në listën e kandidatëve më të poentuar nga Paneli Përzgjedhës, e Gëzim Tosuni është i dyti në listë me 43 poena.
Pjesë e Panelit Përzgjedhës kanë qenë Shefja e Grupit Parlamentar të VV’së, Mimoza Kusari-Lila, bashkë me katër deputetë të tjerë të VV’së, Gramos Agusholli, Jeta Statovci, Armend Muja dhe Driton Hyseni, si dhe deputetët Ferat Shala, Pal Lekaj, Valentina Bunjaku-Rexhepi dhe Fidan Jillta.
“Paneli zhvilloi intervistat, dhe erdhi në konstatim se: procesit intervistues iu nënshtruan tetëmbëdhjetë kandidatë, duke marrë parasysh performancën e kandidatëve, Paneli vlerësoi, gjashtë kandidatët me më së shumti poena, si në vijim: Rejhane Zylfiaj (44 poena), Gëzim Tosuni (43 poena): Gazmend Mejzini (37 poena), Jeton Mehmeti (33 poena); Lumnije Zeka (33 poena); dhe Pranvera Dobruna-Kryeziu (32 poena)”, thuhet në procesvebalin e mbledhjes që është mbajtur më 1 tetor nga Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti.
Komisioni i ka rekomanduar Kuvendit që të zgjedhë me votim të fshehtë tre prej kandidatëve të propozuar për plotësimin e tri pozitave për drejtor të Bordit të Ndërmarrjes Publike KOSTT, me mandat 4-vjeçar.
Deputeti Pal Lekaj ka konfirmuar për Gazetën Express se kandidatja Lumnije Zeka, është bashkëshortja e Ministrit Liburn Aliu, dhe se edhe Gëzim Tosuni është familjari i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.
Se bëhet fjalë për nipin e Bislimit, e ka konfirmuar edhe deputeti Ferat Shala.
Gazeta Express ka provuar të marrë një deklaratë për këtë çështje edhe nga Shefja e Grupit Parlamentar të VV’së, Mimoza Kusari-Lila, por e njëjta se ka hapur telefonin.
Në gusht të këtij viti, mediat kishin raportuar se Lumnije Zeka, kishte dalë kandidatja më e suksesshme, në konkursin për pozitën e Ekspertit për Transparencë dhe Qasje në Dokumente Publike në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP).
“Kandidati fitues në bazë të vlerësimit profesional nga Komisioni i Përzgjedhjes në konkursin me numër RN00014237 për pozitën Ekspert për Transparencë dhe Qasje në Dokumente Publike në kuadër të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, është: Kandidati Lumnije Aliu. Pikët totale: 82.00 pikë“, thuhej në dokumentin që ishte publikuar në media.
Ndërkohë, emri i Tosunit është i njohur nga viti 2021, kur Qeveria e Kosovës, në të cilën daja i tij ushtron pozitën e dytë më të rëndësishme, pati miratuar me shumicë votash propozimin për emrat e anëtarëve të rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, ku bënte pjesë edhe ai.