Pacolli kërkon hetim të pavarur ndaj rastit të gazetarit, Kajtazi

18:08 | 31 October 2024
pacolli-kerkon-hetim-te-pavarur-ndaj-rastit-te-gazetarit,-kajtazi

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka reaguar ndaj rastit të gazetarit Vehbi Kajtazi, duke vlerësuar se zbulimi i pajisjes së përgjimit, është kërcënim i rëndë për lirinë e medias.

Ai ka bërë thirrje për hetim të pavarur dhe të thelluar mbi këtë çështje, transmeton klankosova.tv.

”Zbulimi i një pajisjeje përgjimi në veturën e gazetarit Vehbi Kajtazi është një kërcënim i rëndë për lirinë e medias dhe nënvizon rreziqet me të cilat përballen gazetarët kur ekspozojnë korrupsionin dhe krimin politik sot në Kosovë.

Ky përshkallëzim, synon të frikësojë median dhe të shtypë transparencën.

Veprime të tilla gërryejnë demokracinë.

Raporti i fundit i progresit i BE-së paralajmëron për tendencën për kontroll nga ana e qeverisë së Kosovës mbi median, duke rrezikuar lirinë e shtypit—një gur themeli i demokracisë.

Bej thirrje për një hetim të pavarur dhe të thelluar mbi këtë përshkallëzim alarmues të frikësimit të gazetarëve dhe nevojën urgjente për mbrojtjen e tyre personale dhe profesionale.

Shprehi solidaritetin tim ndaj Gazetarit Vehbi Kajtazi dhe gazetarët në Kosovë, duke i bërë thirrje qeverisë të sigurojë mbrojtjen dhe të drejtën e tyre për të raportuar pa kërcënime dhe të lirë dhe të mos hesht ndaj incidenteve që po ndodhin ndaj mediave.

Një media e lirë është thelbësore për të ardhmen demokratike të Kosovës”.

Komento: