Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka prezantuar sot kandidaten për deputete, kryetaren e Aleancës së Gruas në Gjilan, altivisten Zarife Asllani.
Haradinaj ka thënë se jeta e Zarife Asllanit është një histori frymëzimi.
“Sot, në ditën e fundit të Tetorit – muajit të ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit – kam kënaqësinë të prezantoj Zarife Asllanin si kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Jeta e Zarifes është një histori frymëzimi, jo vetëm për gratë që përballen me kancerin, por për të gjithë që kërkojnë forcë për të tejkaluar vështirësitë. Si aktiviste e hershme dhe e palodhur e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Zarifja ka qenë gjithmonë një shtyllë mbështetëse për organizatën dhe një zë për ndryshim. Ajo ka bashkuar me sukses aktivitetin politik me angazhimin e saj të paepur në luftën kundër kancerit të gjirit”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se me Zarifen Kuvendi i Kosovës, fiton një zë të fuqishëm që njeh sakrifikën dhe nuk ndalet së luftuari për atë që beson.
“Zarife Asllani nga Gjilani përfaqëson jo vetëm vlerat dhe parimet e Aleancës, por sjell edhe një shpirt të pathyeshëm, të gatshëm të luftojë për gratë e Kosovës dhe për një shoqëri më të shëndetshme. Ajo është dëshmi e asaj që mund të arrijë një grua kur i përkushtohet kauzës, familjes dhe vendit të saj. Me Zarifen Kuvendi i Kosovës, fiton një zë të fuqishëm që njeh sakrifikën dhe nuk ndalet së luftuari për atë që beson. Prania e saj në parlamentin tonë do të jetë një fitore për të gjithë qytetarët që aspirojnë për një shoqëri të shëndetshme dhe për një të ardhme më të mirë”, është shprehur Haradinaj.