Lista Serbe pritet të vëprojë krejtësisht ndryshe nga dy proceset zgjedhore të organizuara në katër komunat e veriut të Kosovës, më 23 prill 2023 dhe 21 prill 2024, që i kishte bojkotuar.
Kjo parti ka dhënë shenjat e pjesëmarrjes në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 për Kuvendin e Kosovës, pasi që ka dërguar përfaqësuesit e vet në formimin e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në 20 komuna të ndryshme.
Frontonline ka siguruar vendimin e KQZ-së të datës 13 shtator dhe listën me emrat e të gjithë anëtarëve të emëruar nga ky institucion.
Sipas listës së emërimeve nga KQZ-ja, Lista Serbe ka dërguar nga një përfaqësues në Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në komunat Gjilan, Istog, Klinë, Kamenicë, Leposaviq, Lipjan, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Shtërpcë, Viti, Vushtrri, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitroivë e Veriut.
Sipas njoftimeve të mëhershme për medie të KQZ-së, ky institucion ka emëruar rreth 250 anëtarë të Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve.
Sipas Ligjit Nr. 08/L-288 për Zgjedhjet e Përgjithshme, KKZ administron zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen eksklusive dhe udhëzimet e KQZ-së, duke garantuar ligjshmëri, legjitimitet dhe efikasitet të procesit zgjedhor./Front Online