‘’75 mijë vende pune më shumë me Qeverinë Kurti’’/ Opozita dhe ekonomistët e quajnë manipulim dhe lojë me shifra

14:08 | 02 November 2024
‘’75-mije-vende-pune-me-shume-me-qeverine-kurti’’/-opozita-dhe-ekonomistet-e-quajne-manipulim-dhe-loje-me-shifra

“Përgjatë bashkëbisedimit, zëvendëskryeministri trajtoi dhe progresin që ka njohur vendi edhe në rrafshin ekonomik, ku tashmë i kemi rreth 75.000 vende më shumë të punës, të fokusuar tek punësimi i grave dhe të rinjve, e ku niveli i papunësisë është ulur nga 23.8% sa ishte para ardhjes sonë në qeverisje, në tash vetëm 10.8%”, kështu kanë raportuar dje nga Qeveria e Kosovës, pas një takimi që ka pasur zëvendëskryeministri  Besnik Bislimi me kryesuesen e Divizionit për Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), Zuzana Michalcová Šutiaková.

Por kjo deklaratë e dalur nga dyshi i qeverisë kosovare, i cili me profesion është edhe ekonomist, po shihet nga opozita dhe analistët e njohësit e ekonomisë, si deklaratë e pa faktuar dhe deklaratë manipuluese dhe jo serioze.

Opozita, njohës të ekonomisë dhe ish-ministra të punës dhe mirëqenies sociale, deklaratën zyrtare të lëshuar nga Qeveria e Kosovës, po e shohin si manipulim mbi publikun.

 

Musliu: Kësaj Qeverie po i vie fundi, Bislimi po manipulon për 75 mijë vende pune

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, për FrontOnline, ka komentuar deklaratën e zëvendëskryeministrit të pare të Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, i cili tha se me Qeverinë Kurti në Kosovë janë 75 mijë vende pune më shumë dhe se kanë ulur papunësinë nga 23.8% në 10.8%.

Ajo thotë se deklarata e zëvendëskryeministrit Bislimi është tentative për të manipuluar opinionin publik.

‘’Deklarata për 75 mijë vende pune nga zëvendësministri Bislimi është një tentativë për të manipuluar opinionin publik’’ thotë ajo.

Për të mungesa e transparencës dhe provave të qarta, po nxjerrë në pah mashtrimin e pastërt të kësaj Qeverie.

‘’Mungesa e transparencës dhe e provave të qarta për këto numra nxjerr në pah një nivel të lartë të mashtrimit nga ana e Qeverise. Këtë strategji manipulese mund ta interpretojmë si një mashtrim të pastër dhe ikje nga premtimet e tyre’’ tha ajo për FrontOnline.

Deputetja e PDK-së, potencon se kjo strategji e manipulimit e demton besimin e qytetarëve ndaj instutcioneve.

‘’Kjo strategji e manipulimit e dëmtonë besimin e qytetarëve në institucionet dhe politikat e qeverisë. Kjo qasje ndaj statistikave dhe premtimeve të punësimit e ka përkeqësuar frustrimin e qytetarëve dhe po ndikon negativisht në stabilitetin social dhe ekonomik, ku si pasoj afer gjysem milioni qytetar e kanë braktisur Kosovën’’ shprehet Musliu.

Musliu, tha se kësaj Qeverie po i vije fundi.

‘’Fatbardhësisht po i vie fundi kësaj qeverie’’ deklaroj ajo.

 

Rukiqi i LDK-së: Qeveria po manipulon me shifrat e punësimit

Anëtari i LDK-së dhe njohës i fushës së ekonomisë, Berat Rukiqi, për FrontOnline, ka shpejguar deklaratën e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi për hapjen e 75 mijë vendeve të punës.

“Si po manipulon Qeveria me shifrat e punësimit? Krahasimi i gabuar me vitin 2020: Gjatë pandemisë u humbën rreth 25,000 vende pune për shkak të mbylljes së ekonomisë. Me hapjen e saj në 2021, këto vende pune u rikthyen. Por, Qeveria po i llogarit si vende të reja pune’’ thotë ai.

Rukiqi potencon se vendet e formalizuara vetëm në vitin 2023 po raportohen si vende të reja pune.

“Formalizimi i vendeve të punës: Vendet e formalizuara (rreth 4000- 5000 vende pune të formalizuara, vetëm në vitin 2023, sipas Bankës Botërore) gjithashtu po raportohen si vende të reja pune” shprehet ai.

Rukiqi ka deklaruar se para pandemisë, në vitet 2015-2019, u krijuan 66 mijë e 240 vende punë, ndërsa pas pandemisë, në vitet 2021-2023, u krijuar 42 mijë.

“Cila është e vërteta? Para pandemisë (2015-2019): U krijuan 66,240 vende pune – mesatarisht 16,560 në vit. Pas pandemisë, me këtë Qeveri ( 2021-2023): Vetëm 42,195 vende pune – mesatarisht 14,065 në vit.” shtoj Rukiqi për FrontOnline.

 

Ish-ministri Reçica për deklaratën e Bislimit për 75 mijë vende pune: Problemi i papunësisë nuk zgjidhet me deklarata të tilla

Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, për FrontOnline, ka komentuar deklaratën e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, për krijimin e 75 mijë vendeve të punës nga Qeveria Kurti.

Reçica, e konsideron retorikë parazgjedhore këtë deklaratë, duke e vlerësuar se kanë bërë shumë premtime e pak realitet.

‘’Deklarata e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi për krijimin e 75 mijë vendeve të reja të punës dhe uljen e papunësisë nga 23.8% në 10.8% është tipike për retorikën e parafushatës zgjedhore, shumë premtime dhe pak realitet. Të gjithë e dimë se problemet e papunësisë dhe të tregut të punës në Kosovë nuk zgjidhen me deklarata të tilla’’ thotë ai.

Ish-ministri thotë se nëse analizohen rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore, të publikuara në çdo vit, shihet një situate tjetër e cila është shumë komplekse dhe sfiduese.

‘’Nëse analizohen rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore, të publikuara çdo vit dhe periodikisht gjatë vitit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, si dhe gjendja faktike në terren, shohim një situatë shumë më komplekse dhe sfiduese sesa ajo që paraqitet nga qeveria në kuadër të parafushatës. Punësimet e përkohshme, kontratat afatshkurtra ose me kushte të pasigurta nuk ofrojnë stabilitet ekonomik për punëtorët dhe nuk përmirësojnë cilësinë e jetës së tyre’’ potencon ai.

Reçica, thotë se deklaratat e tilla shpesh ndodhin para zgjedhjeve, për rregullim të imazhit publik.

‘’Shpesh, në periudha të ngjashme para zgjedhjeve, vendet e punës krijohen përkohësisht, me qëllim të përmirësimit të imazhit publik të qeverisë, pa ndonjë ndikim të vërtetë në mirëqenien e qytetarëve. Në vend që të publikohen shifra të përshtatshme në letër, qeveria duhet të përballet me realitetin, papunësia mbetet një problem i pazgjidhur dhe shumica e vendeve të punës nuk ofrojnë as siguri dhe as dinjitet për qytetarët tanë. Ky është një skenar i njohur, retorikë para zgjedhjeve dhe zhgënjim pas tyre’’ shtoj ai për FrontOnline.

 

 

Ekonomisti Mulaj: Bislimi nuk ofroi fakte për 75 mijë vende pune, po luajnë me shifra

Njohësi i ekonomisë, Ismet Mulaj, për FrontOnline ka folur për deklaratën e zëvendëskryeministrit të pare të Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, i cili tha se me Qeverinë Kurti në Kosovë janë 75 mijë vende pune më shumë dhe se kanë ulur papunësinë nga 23.8% në 10.8%.

Mulaj, potencon se po qëse Bislimi, do të ofronte fakte për këtë edhe do të besonte, por sipas tij ndryshe po flasin raportet ndërkombëtare dhe ato vendore.

‘’Sikur zëvendëskryeministri Bislimi të kishte ofruar ndonjë fakt, ndonjë shifër konkrete të ndonjë institucioni kredibil vendor ose ndërkombëtar për këtë, edhe ne do të besonim, por bazuar në raportet ndërkombëtare dhe raportit të fundit të Bankës Botërore, realiteti është krejt tjetër’’ thotë ai.

Mulaj, potencon se po luhet me këto shifra dhe shifra të tilla janë lehtë të verifikueshme.

‘’Unë po çuditë se qysh po luajnë me këto shifra dhe ato janë kokëforta dhe lehtë të verifikueshme dhe do të ishte jo e drejt për qeverinë e ardhshme cila do që të jetë që të bazohen në këto shifra’’ tha ai.

Njohësi i ekonomisë, shton se deklarata të tilla nuk janë fer për qytetarët e Kosovës por as për partnerët ndërkombëtar.

‘’Nuk është fer për qytetarët e Kosovës por edhe për partnerët ndërkombëtar, që të luajmë me këto shifra e sidomos kur bëhet fjalë për një ekonomist siç është zvk.Bislimi’’ u shpreh Mulaj për FrontOnline.

Komento: