Në zonat me shumicë serbe në Kosovë, flamujt shtetërorë të Serbisë janë ulur në gjysmështizë për Ditën e zisë të shpallur nga qeveria e Serbisë për vdekjen tragjike të 14 qytetarëve si pasojë e shembjes së një pjese të objektit të stacionit hekurudhor të Novi Sadit.
Siç raporton portali në gjuhën serbe “kosovo onllajn”, në institucionet komunale të Graçanicës, flamuri është ulur në gjysmështizë, transmeton Klankosova.tv.
Në manastirin e Graçanicës, besimtarët kanë ndezur qirinj individualisht për viktimat e Novi Sadit.
Edhe në Leposaviq, flamuri serb është ulur në gjysmështizë.
Ndërsa në manastirin e Deçanit, mëngjesin e sotëm murgjit kanë mbajtur një lutje për viktimat në Novi Sad.
Katërmbëdhjetë persona mbetën të vdekur ditën e djeshme në Novi Sadi, Serbi, pas shembjes së një platforme të ndërtesës së stacionit hekurudhor.