
Ramiz Kelmendi, pronar i zinxhirit të marketeve ETC, u deklarua për FrontOnline mbi vendimin për shtyrjen e zbatimit të tatimit progresiv për pronat komerciale. Ai theksoi se ky vendim, ndonëse është i sjellur, ka gjithashtu aspekte të dyshimta politike dhe zgjedhore, veçanërisht tani që po afrohen zgjedhjet.
‘’ Një vendim i sjellur, pastaj i shtyrë , sigurt ka ndonjë interes politik dhe zgjedhor sigurisht pasi jemi afër zgjedhjeve’’, tha Kelmendi për FrontOnline.
Kelmendi vuri në dukje se rritja e tatimit në pronë, përfshirë rritjet e mundshme dyfish ose trefish, do të dëmtonte investitorët, veçanërisht ata të jashtëm, që kanë potencial për të investuar në Kosovë
‘’ Si tatim në pronë me vlerën e shtuar apo të dyfishuar e trefishuar gjithmonë paraqet dëm në veçanti për të gjithë investitorët e jashtëm të cilët kanë potencial investimi’’, potencoi Kelmendi.
Ai theksoi rëndësinë që qeveria e Kosovës të krijojë një ambient të favorshëm për investitorët, si ata të jashtëm ashtu edhe ata të brendshëm.
Kelmendi përfundoi me një paralajmërim se nëse vendimet merren me hidhërim, rezultatet do të jenë gjithashtu të hidhura, duke sugjeruar se një qasje më e kujdesshme dhe e mirëfilltë është e nevojshme për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme ekonomike.
‘’ Qeveria e Kosovës duhet të qaset në krijimin e ambientit të mirë për investitorët e jashtëm e në veçanti edhe për investitorët e brendshëm, është një rregull tradicional që ne e quajmë ‘’Sa herë që e merr me hidhërim për të zgjidhur diçka edhe zgjedhja do të jetë e hidhërueshme’’, përfundoi afaristi.