
Deputetja Albena Reshitaj e nisi me Aleancën Kosova e Re (AKR).
Pastaj kaloi në AAK ku e pati marr edhe pozitën si ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kur kryeministër ishte Ramush Haradinaj. Si deputete nga kjo parti, zëri i saj u dëgjua shumë pak.
Por deputetes nuk i mjaftoi me kaq. Ajo vendosi të ndërroj edhe këtë parti.
Tanimë, Reshitaj aderoi në “Guxo”.
Kryetarja e partisë “Guxo”, Donika Gërvalla, konfirmoi aderimin e deputetes Albena Reshitaj. Ajo ka shkruar në Facebook se Reshitaj është grua e fortë, me profesionalizëm të dëshmuar.
“Një grua e fortë, me profesionalizëm të dëshmuar, i bashkohet Partisë Guxo. E rritur në një familje që mishëron vlerat patriotike dhe përkushtimin profesional, prof. Dr. Albena Reshitaj ka dëshmuar vendosmëri dhe lidership në kohët kur Kosovës i nevojiteshin më shumë se kurrë stabiliteti dhe reformat. Angazhimi i saj i guximshëm ka lënë gjurmë, si në politikë ashtu edhe në shoqëri, duke i kthyer profesionalizmin dhe integritetin në shtylla të veprimtarisë së saj. Së bashku do të punojmë me guxim e vendosmëri për një Republikë të fortë e të zhvilluar të Kosovës”, ka thënë Gërvalla.