
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, për FrontOnline ka folur për emërimin e bashkëshortes së ministrit të infrastrukturës, Liburn Aliu, dhe nipit të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, në Bordin e KOSTT, duke e quajtur këtë një akt nepotizmi dhe mungese të transparencës në institucionet kryesore të shtetit.
Lekaj ka theksuar se ky emërim ngre shqetësime serioze për kapjen e institucioneve nga familjarët dhe të afërmit e zyrtarëve të lartë të Qeverisë, duke minuar besimin e qytetarëve në procesin e qeverisjes. “KOSTT është një institucion kritik për sektorin e energjisë, dhe vendimet për përbërjen e Bordit duhet të bazohen në meritokraci dhe profesionalizëm, jo në lidhje familjare,” tha Lekaj.
Sipas deputetit të AAK-së, kjo qasje e qeverisë është një trend shqetësues që i dëmton përpjekjet për reforma dhe mund të krijojë një precedent të rrezikshëm për emërimet në institucione të tjera publike. “Nëse qeveria e Kosovës pretendon të jetë e ndershme dhe reformuese, nuk mund të lejojë që këto praktika të vazhdojnë pa u përballur me pasojat politike dhe morale,” ka thënë Lekaj, duke shtuar se një veprim i tillë është i papranueshëm për një qeveri që thirret në parimet e ndershmërisë dhe integritetit.
Ndërsa deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku, nuk ka qenë shumë e interesuar të komentoj mbi emrimet e dy njerëzve të zyrtarëve të VV-së, në Bordin e KOSTT.