“Ligjet e natës”/ Ligji për Byronë mund të përfundojë sërish në Kushtetuese

18:08 | 06 Dhjetor 2024
“ligjet-e-nates”/-ligji-per-byrone-mund-te-perfundoje-serish-ne-kushtetuese

Në orët e vona të së enjtes, Kuvendi i Kosovës, ishte mbledhur, ku partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, kishte vendosur që pak muaj para zgjedhjeve e shumë muaj të qëndrimit në pushtet, të bëjë miratimin e katër ligjeve.

Në shikim të parë, seanca e mesnatës, dukej sikur në vend të ishte gjendje e jashtëzakonshme, por në fakt, ishte një seancë krejtësisht normale, por e paraqitur si e jashtëzakonshme.

Katër vite, pushtetit nuk i mjaftuan seancat javore e mujore, por u dashtë që të thirrej një seancë e re, që të bëhej miratimi i katër ligjeve.

-Për Banim Social dhe të Përballueshëm;

-Për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor;

-Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme; dhe

-Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030.

Këto ishin katër ligjet që shumica parlamentare e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, votoj në natën mes 5 e 6 dhjetorit 2024.

Forma e thirrjes së seancës e më pas edhe forma e votimit të këtyre katër ligjeve të lartë cekura, u kritikua ashpër nga partitë opozitare, por edhe nga shoqëria civile.

Edhe pse në parim, këto ligje morën shumicën parlamentare për të kaluar në Kuvend, disa nga to nuk mund të implementohen, pasi që mund të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim.

 

Beqa: Ligjet e miratuara për fushatë elektorale, do t’i kthej prapa Gjykata Kushtetuese

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, për FrontOnline ka folur pas miratimit të katër ligjeve nga Kuvendi i Kosovës mbrëmë, duke theksuar se seanca e mbajtur ishte më shumë një veprim i orientuar nga fushata elektorale se sa një proces i thellë ligjor

‘’Seanca tregoj se me seancën e mbrëmshme, mazhoranca në ikje, atë e ka bërë më shumë për fushatë’’, shprehet ai.

Beqa ka shprehur dyshime se disa prej ligjeve do të kthehen pas nga Gjykata Kushtetuese, përfshirë ligjin e Byrosë Shtetërore, duke theksuar se ky ligj është premtuar në fushatën e kaluar dhe e konsideron si metodë të Lëvizjes Vetëvendosje për të treguar se kinse po e luftojnë korrupsionin.

‘’Jam i bindur se shumë ato ligje kanë me pasur kthim prapa nga Gjykata Kushtetuese. Për shembull ligji i Byrosë Shtetërore, nuk mund të kaloj pa e dëgjuar shoqërinë civile, pa kaluar në lexim të parë, fillimisht me bërë grupe punuese, me i thirre palët e interesuara, me i dhënë opinionet e tyre dhe ky është ligj që është premtuar në fushatën e kaluar dhe e dijnë se Gjykata Kushtetuese e kthen prapa, por e kanë si një mjet të fushatës që me i thënë qytetarëve që ne po e luftojmë korrupsionin’’ deklaron Beqa.

Sipas Beqës, miratimi i tij pa procedura të rregullta dhe pa kaluar përmes një diskutimi të gjerë mund të çojë në anulimin e tij nga Gjykata Kushtetuese, dhe se qëllimi i VV-së është që të përdorin këtë ligj për fushatën dhe jo për ta zbatuar atë në praktikë.

‘’Ai ligj i përpiluar keq është në kundërshtim me Kushtetutën, nuk ka qenë gjendje e jashtëzakonshme që dy leximet e këtij ligji me u bërë natën, kështu që mendoj se veprimet e mëtutjeshme i marrim edhe me akterët brenda PDK-së. Ky ligj e deformon Kushtetutën, dhe qëllimi i VV-së nuk është me kalu ligji, sepse ta kishin qëllimin ta zbatonin këtë ligj, kishin vazhduar ta miratonin këtë ligj në formë normale’’ shtoj deputeti Beqa për FrontOnline.

 

Kryeziu: Miratimi i ligjeve ishte në rregull, nëse ka shkelje revidohen nga Kushtetuesja

Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, për FrontOnline, thotë se votimi i ligjeve nga Kuvendi i Kosovës, në lexim të parë dhe të dytë, tregon se pushteti në mënyrë të ‘’ashpër’’ kanë filluar me i zbatuar disa gjëra dhe ligje, pasi deri më tani sipas tij, pushteti ka qenë ‘’dembel’’.

‘’Është përfundimi i legjislaturës së VV-së dhe disa punë që i kanë lënë prapa sepse bukur shumë kanë qenë dembela gjatë kësaj periudhe, dhe tash në mënyrë të ”ashpër” kanë filluar me i zbatu disa gjëra’’, thotë ai.

Kryeziu, potencon se në aspektin ligjor, votimi i ligjeve është në rregull, por se, sipas tij, në aspektin etik, këto ligje nuk do të duhej të kalonin pa opozitën.

‘’Në aspektin ligjor janë në rregull, në aspektin etik nuk janë fort në rregull sepse nuk bëhen pa opozitë, është dashtë të bëhen edhe me opozitë’’ shprehet ai.

Ai potencon se nëse ligjet kanë bërë ndonjë shkelje Kushtetuese, ato do të revidohen nga ajo, por për këtë vendos Kushtetuesja.

‘’A do të shkojnë në Gjykatë Kushtetuese, varet nga ligji si është bërë. Nëse konsiderohet se është shkelur ndonjë e drejt qytetare që është shkelur në Kushtetuë, ajo e revidon’’ u shpreh Kryeziu.

 

Nga Lëvizja FOL: Votimi i ligjit në procedurë të  përshpejtuar, cenim i vlerave demokratike

Viona Bunjaku nga Lëvizja Fol për FrontOnline, thotë se votimi në lexim të parë dhe të dytë i Ligjit per Byron Shteterore per Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë se Pajustifikueshm, në procedure të përshpejtuar përbën cenim të vlerave demokratike, dhe lë të kuptohet se po bëhet për poena politik.

‘’Votimi ne lexim te parë dhe pastaj në lexim të dytë të Ligjit për Byron Shtetërore per Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë se Pajustifikueshme në një procedurë të përshpejtuar pa dëgjime dhe konsultime publike përben cenim të vlerave demokratike dhe na bën të kuptojmë se e gjithë kjo është duke u bërë për poena politik’’ thotë ajo.

Megjithatë, Bunjaku, vlerëson se ky ligj duhet të kaloj testin nga Gjykata Kushtetuese, derisa shprehet se varet nga vullneti I partive opozitare nëse ky ligj do të shkoj përsëri në Gjykatën Kushtetuese.

‘’Varet nga vullneti politik i partive opozitare, mirëpo ky Ligj duhet edhe njëherë ta kaloj testin e Gjykatës Kushtetuese’’ u shpreh ajo për FrontOnline.

 

Komento: