Deputeti i LDK-së zbulon se ndërkombëtaret duan ndryshimin e qeverisjes në Kosovë

23:33 | 21 Maj 2019

Gashi thotë se ka dakordim ndërkombëtar për ndryshimin e qeverisjes në Kosovë.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi ka thënë se opozita tashmë e ka shumë seriozisht rrëzimin e Qeverisë “Haradinaj”.

Deputeti Gashi në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se tani është momentumi që LDK po kërkon me ngulm zgjedhje të reja.

“Ka edhe një dakordim ndërkombëtar që duhet ndryshim në Kosovë. Ka një dakordim që kjo lloj qeverisje nuk mund të vazhdojë. Ka një mos pranueshmëri absolute për këtë lloj qeverisje në të gjitha nivelet”.
Deputeti i LDK-së ka thënë se në një fazë PSD-ja nuk ka dashur zgjedhje, ndërsa tani janë të gatshëm për rrëzimin e kësaj qeverie.

“Tjetër është çka janë deklaruar PSD-ja, por shumicën e vendimeve të qeverisë i kanë votuar”, tha Gashi, përcjell Telegrafi.

Ai ka shtuar më tej se tashmë LDK, ka tejkaluar edhe situatat e paqarta dhe janë plotësisht gati për zgjedhje.

“Është e vërtet që edhe LDK-ja nuk ka qenë e gatshme për zgjedhje. Në LDK ka pasur shumë të panjohura pasi ka pasur kryetarin e sëmurë. Tash sondazhet tregojnë se jemi në epërsi… Asnjëherë nuk kemi qenë më lart në sondazhe se kjo që jemi sot, në kuotën e 28 %”.

Deputeti i LDK-së ka thënë se kanë pasur ofertë nga PDK-ja për të rrëzuar qeverinë dhe të krijojnë një të re në situata pas zgjedhore, por sipas tij LDK nuk ka pranuar.

Komento: