
Me ndikim të rritur pas kapjes së Nagorno-Karabakut nga separatistët armenë më 2023, Azerbajxhani është duke i shfrytëzuar marrëdhëniet e mira me Izraelin dhe Turqinë për t’i ulur tensionet mes fuqive rajonale në Siri.
Këshilltari i lartë azer për politikë të jashtme, Hikmet Hajiyev, konfirmoi se Bakuja ka organizuar më shumë se tri runde bisedimesh mes Turqisë dhe Izraelit, vende që janë duke operuar në Siri për t’i zvogëluar ato që i shohin si kërcënime ndaj sigurisë, raporton gazeta “The Times of Israel”.
“Azerbajxhani është duke bërë përpjekje diplomatike për një marrëveshje” – u tha Hajiyev-i gazetarëve turq në Baku. “Edhe Turqia, edhe Izraeli na besojnë neve” – shtoi ai.
Rrëzimi i ish-presidentit Bashar al-Assad nga rebelët sirianë, me bekimin e Turqisë, nxiti shqetësime për sigurinë në Izrael. Nga ajo kohë, forcat izraelite kanë kryer qindra sulme thellë brenda Sirisë, më të rejat të premten, duke thënë se nuk do të tolerojnë prani të militantëve islamikë në pjesën jugore të Sirisë, afër kufirit me Izraelin.
Izraeli gjithashtu ka dislokuar trupa në jug të Sirisë, në rajonin kufitar, ndërsa ushtria turke është duke operuar në pjesën veriore të këtij shteti. Raportohet se Turqia dhe Izraeli janë pajtuar për hapjen e një linje emergjente – përmes ndërmjetësimit nga Azerbajxhani – për ta parandaluar përplasjen mes forcave të tyre.
Izraeli e ka akuzuar Turqinë se po mundohet ta shndërrojë Sirinë në një protektorat turk, ndërsa Ankaraja i ka kritikuar aktivitetet ushtarake izraelite në Siri pas rënies së regjimit të Assadit.
Si aleat i ngushtë dhe partner strategjik i Turqisë, Azerbajxhani vazhdimisht është rreshtuar me pozicionet e Ankarasë rreth çështjeve kyçe ndërkombëtare, përfshirë çështjen siriane.
Sidoqoftë, Azerbajxhani gëzon marrëdhënie të mira edhe me Izraelin, i cili varet shumë nga nafta azere dhe është furnizues i rëndësishëm i armëve për Bakunë.
Tani, Azerbajxhani, i cili ka vendosur kontakte edhe me udhëheqësit e rinj të Sirisë, po e shfrytëzon diplomacinë në heshtje përmes lehtësimit të bisedimeve teknike mes Turqisë e Izraelit./Nacionale