Presidenca i reagon Artan Behramit: Presidentja as nuk cakton e as nuk vazhdon mandat të Speciales

14:26 | 09 Qershor 2025
Presidenca i reagon Artan Behramit: Presidentja as nuk cakton e as nuk vazhdon mandat të Speciales

Zyra e Presidencës së Kosovës, ka kërkuar nga deputeti i PDK-së Artan Behrami, që të mos ‘shpifë në raport me vazhdimin e mandatit të EULEX-it’ duke mohuar një gjë të tillë.

“Deputeti Artan Behrami është mirë të mos shpif. Presidentja as nuk cakton e as nuk vazhdon mandat të gjykatës speciale. Mandati i kësaj gjykate është përcaktuar me amandament kushtetues të votuar nga 2/3 e Kuvendit të Kosovës dhe ai nuk mundet as të ndryshohet e as të ndërpritet apo vazhdohet nga institucioni i Presidencës. Presidentja ende nuk ka nënshkruar asgjë sa i perket mandatit të EULEX-it, edhe pse është plotësisht në mandatin e saj ta bëjë një gjë të tillë, siç ka qenë njësoj në mandatin e Presidentit Thaçi, kur ai ia vazhdonte mandatin teknik të EULEX-it, për mentorim, monitorim dhe këshillim. Vazhdimi i mandatit të EULEX-it, është përcaktuar në Vendimin e Këshillit të BE-së të datës 5 qershor 2025, vendim ky që është publik” – thuhet në reagimin e Presidencës së Kosovës.

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, më herët shkruajti se Presidentja Osmani ia ka vazhduar ‘në mënyrë tinëzare’ mandatin EULEX-it e rrjedhimisht edhe Gjykatës Speciale.

“SKANDALOZE: Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes shkëmbimit të letrave me BE-në ka vazhduar mandatin e EULEX-it, rrjedhimisht edhe të Gjykatës Speciale në Kosovë. Këtë e ka bërë në mënyrë tinëzare, pa debat publik, në mënyrë të fshehtë”, shkroi ndër të tjera Behrami.

Komento: