
Asamblistja e AAK-së në Suharekë, Sanie Kuqi-Rexhepaj, ka kaluar në LDK.
Njoftimi:
Mirësevjen në LDK, znj. Sanie Kuqi Rexhepaj!
Sot, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, së bashku me kryetarin e degës tonë në Suharekë Ardian Shala, kanë pritur znj. Sanie Kuqi Rexhepaj. Zonja Sanie, nga sot i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës, rrjedhimisht degës tonë në Suharekë. Ajo i bashkohet rrugëtimit tonë me besimin e plotë drejt një pune të përbashkët për një të ardhme më të mirë në komunën e Suharekës.
Znj. Kuqi Rexhepaj është emër i njohur për qytetarët e Suharekës – si një profesioniste e zonja, një lidere me integritet dhe një zë i fuqishëm për interesin publik komunal. Me një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në fushën e arkitekturës dhe urbanizmit, ajo ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin urban të qytetit të Suharekës, duke shërbyer me përkushtim dhe profesionalizëm si Drejtoreshë e Urbanizmit gjatë viteve 2017–2021.
Aktualisht, ajo është asambleistja më e votuar në historinë e Asamblesë Komunale të Suharekës, një fakt që flet qartë për besimin dhe respektin që qytetarët kanë për angazhimin e saj.
Sanie Kuqi Rexhepaj është diplomuar në Arkitekturë dhe ka përfunduar studimet master në Universitetin e Prishtinës, duke ndërtuar një profil të fuqishëm intelektual dhe profesional. Përmes punës së saj, ajo ka dëshmuar se gratë mund të jenë lidere e vendimmarrëse të zonja dhe shembull për gjeneratat e reja – veçanërisht për vajzat dhe gratë në Suharekë dhe më gjerë.
Lidhja Demokratike e Kosovës e mirëpret me me shumë respekt dhe entuziazëm znj. Sanie Kuqi Rexhepaj në radhët e saj, duke besuar se përvoja, vizioni dhe integriteti i saj do të jenë shtytje e fuqishme për përfaqësimin e denjë të qytetarëve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Suharekës.