Pajtohen në LDK, nisin procedurat për rrëzimin e Qeverisë ‘Haradinaj’

14:34 | 27 Maj 2019

Ka përfunduar takimi i kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa me grupin parlamentar të LDK-së.

Përmes një njoftimi për media, LDK ka njoftuar se në takim u bisedua dhe u dakordua për veprimet e nevojshme për të proceduar me mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë.

“U vlerësua se është në interesin e Kosovës që sa më parë vendi të ketë një Qeveri normale”, thuhet në njoftim, përcjell ORAinfo.

Kryetari Mustafa dhe deputetët e LDK-së vlerësuan se korrupsioni i lartë, papunësia, nepotizmi dhe ikja e njerëzve nga Kosova janë dëshmitë më të mira se vendit i nevojitet qeveri e re e përgjegjshme.

“Në ditët në vijim LDK dhe grupi parlamentar do të zhvillojnë takimet e nevojshme me grupet e tjera parlamentare për të dakorduar hapat që do të ndërmerren”, thuhet në njoftim të lëshuar nga LDK. /ORAinfo/

Komento: