Murtaja e bagëtive në Shqipëri, AUV-i me thirrje për fermerët në Kosovë

13:56 | 19 Qershor 2025
Murtaja e bagëtive në Shqipëri, AUV-i me thirrje për fermerët në Kosovë

Pas shpërthimit të sëmundjes së murtajës së dhenve dhe dhive në disa zona të Shqipërisë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë thirrje për kujdes të shtuar nga fermerët në zonat kufitare të Republikës së Kosovës.

Kjo agjenci kërkon që të evitohet çdo kontakt i drejtpërdrejtë i deleve dhe dhive me kafshë të ardhura nga Shqipëria.

Fermerëve në Kosovë, gjithashtu i kërkohet që t’i mbajnë kafshët e monitoruara si dhe të lajmërojnë menjëherë te veterineri zyrtar çdo shenjë të dyshimtë të sëmundjes (ethet e larta, plagë në gojë, hundë ose sytë që rrjedhin, dobësi të përgjithshme);

“ Të mos lejoni futjen e kafshëve tjera në tufat tuaja”, thuhet mes tjerash në kërkesat e AUV-it.

“Zbatimi i këtyre masave është thelbësor për mbrojtjen e tufave tuaja dhe parandalimin e përhapjes së sëmundjes në Kosovë”, thekson kjo agjenci.

Komento: