Khamenei lajmërohet pas armëpushimit me Izraelin: Regjimi zionist u shtyp, gati kolapsoi

12:59 | 26 Qershor 2025

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i ka bërë komentet e para që nga përfundimi i konfliktit 12-ditor të vendit të tij me Izraelin.

Ai e përgëzoi “popullin e madh të Iranit” për “fitoren ndaj regjimit të rremë zionist”, raporton televizioni CNN.

“Pavarësisht nga tërë ajo zhurmë dhe me të gjitha ato pretendime, regjimi zionist gati kolapsoi dhe u shtyp nën goditjet e Republikës Islamike” – citohet të ketë thënë Khamenei, sipas agjencisë shtetërore iraniane të lajmeve, IRNA.

Khamenei tha se Shtetet e Bashkuara “hynë në një luftë të drejtpërdrejtë, sepse e ndien se, nëse nuk do të hynin, regjimi zionist (Izraeli) do të shkatërrohej tërësisht”.

Sipas tij, ShBA-ja “nuk fitoi asnjë arritje nga kjo luftë”, duke shtuar se Irani ishte në gjendje që të dilte “fitimtar” dhe “ia dha Amerikës një shpullë të fortë në fytyrë”.

“Një komb me rreth 90 milionë banorë qëndroi I bashkuar, me një zë, krah për krah, në mbështetje të forcave të armatosura” – shtoi lideri suprem.

“Kombi iranian e dëshmoi karakterin e vet të dalluar dhe tregoi që, kur është e nevojshme, një zë i vetëm do të dëgjohet nga ky komb” – tha më tej ai.

Komento: