LEAO shpërthen ndaj Liverpoolit – Allegri: ‘Ky sezon do jetë i tij!’”

20:18 | 26 Korrik 2025

AC Milan i dërgoi një sinjal të fortë kundërshtarëve të sezonit të ri, pas fitores 4-2 ndaj Liverpoolit në Hong Kong. Një paraqitje që ngjalli entuziazëm tek tifozët kuqezi dhe, sipas Massimiliano Allegrit, konfirmon një ndryshim të qasjes dhe standardit në skuadër.

“Ekipi po reagon ndryshe. Tani kemi një qëndrim proaktiv si me topin, ashtu edhe pa të,” u shpreh Allegri pas ndeshjes, duke e lavdëruar punën e bërë gjatë 20 ditëve të para të përgatitjeve verore, transmeton ORAinfo.

Leao – lideri i ri i Milanit?

Rafael Leao ishte padyshim ylli i mbrëmjes: një gol, një asist dhe kontribut direkt në golin e tretë. Allegri nuk i kurseu elozhet për sulmuesin portugez:

“Leao është një lojtar me cilësi të jashtëzakonshme. Po rritet shumë dhe është në moshën ideale për të shpërthyer. Mund të bëjë një sezon të madh.”

Ajo që bie në sy është se Leao luajti si qendërsulmues, rol që zakonisht nuk e ka preferuar, por ia doli me sukses, duke hapur mundësi të reja për Milanin në aspektin taktik.

Një mbrëmje spektakolare në Hong Kong

Ndeshja u zhvillua përballë 50,000 tifozëve në një stadium të mbushur plot në Hong Kong. Allegri nuk fshehu entuziazmin për këtë eksperiencë:

“Ishte një mbrëmje e mrekullueshme. Stadiumi është fantastik dhe publiku krijoi një atmosferë të jashtëzakonshme.”

Milan, sinjale pozitive për sezonin e ri

Pas një humbjeje minimale ndaj Arsenalit, Milani reagoi në mënyrën më të mirë të mundshme ndaj një tjetër giganti anglez. Me një Leao në superformë dhe një ekip më të vendosur në të dy fazat e lojës, kuqezinjtë duken gati për të bërë një hap përpara këtë sezon. /ORAinfo/

Komento: