Në mbrojtje te gruas rome, sot protestohet në orën 13

09:53 | 30 Maj 2019

Në orën 13:00 protestohet në shenjë solidariteti me gruan rome.

Në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë, sot duke filluar në ora 13:00 do të mbahet një protestë kundër homofobisë, në shenjë dinjiteti dhe solidariteti me gruan rome që u sulmua dje në rrugët e Lipjanit, për të cilën pati zëra se është hajdute fëmijësh.

Lidhur me këtë rast Policia e Kosovës tha se nuk ka të bëjë asgjë me fjalët që u përhapën në rrjetet sociale dhe se për të njëjtën nuk ka pasur ndonjë denoncim dhe nuk përbënte rrezik

Protesta është thirrur nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi. Ai ka thënë se shoqëria e ka obligim të mbrojë dinjitetin, prandaj ka ftuar qytetarët t’I bashkohen kësaj proteste.

Ky është postimi i tij:

JO HOMOFOBISË dhe NDJEKJES së SHTRIGAVE!

Ajo që ka ngjarë sot/dje, rastësisht në rrugët e Lipjanit, jo rastësisht në Kosovë, sulmi i nxitur nga disa portale, media elektronike dhe persona me mendësi kriminale e homofobe, sulmi brutal fizik, bullizmi, fyerjet, poshtërimi, çnjerëzimi dhe privimi nga dinjiteti i një gruaje „rastësisht rome!“, është krim brutal që meriton dënim ligjor shembull!

Tani dhe menjëherë, është detyrim parësor i Policisë së Kosovës dhe i prokurorisë, he organ i ndjekjes i thënshin, të vë para ligjit të gjithë ata që përhapën, nxitën, motivuan, përkrahën sulmin e egër e brutal mbi një grua, mbi një njeri! Nuk ka pardon, nuk ka „por“ apo „mirëpo“, nuk ka arsyetim për këtë sulm çnjerëzor!

Çdo njeri lind me dinjitet, e dinjiteti është pasuri e përbashkët shoqërore, prandaj shoqëria e ka obligim të mbrojë dinjitetin e çdo njeriu me të gjitha mjetet që ka në dispozicion! Nuk mund të ketë shoqëri të dinjitetshme, me individë që u nëpërkëmbet dinjiteti, sepse atë e kemi të përbashkët, dhe secili veç e veç, sa e tërë shoqëria bashkë, ose nuk e ka as shoqëria si tërësi!

Prandaj, Sot, më 30 maj 2019, prej orës 13.00, në Sheshin Skënderbeu, në protestë kundër homofobisë! Për dinjitetin njerëzor! Solidarizim me Gruan e sulmuar!
Prandaj, Sot dhe jo Nesër! Sepse edhe ashtu jemi tepër vonë për punën që nuk e kemi bërë Dje, në Shesh, në protestë kundër urrejtje-njerëzisë, për solidaritet me gruan e sulmuar.

Komento: