Abelard Tahiri: Protesta e sotme është edhe ndaj Qeverisë, për mos-pagesë të plotë të mbrojtjes së krerëve të UÇK-së

15:56 | 07 Gusht 2025
abelard-tahiri-mban-konference-per-media-neser,-s’dihet-arsyeja

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka reaguar ashpër ndaj mos-pagesës së plotë të mbrojtjes juridike për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në paraburgim në Hagë.

Në një status të publikuar sot, Tahiri e ka quajtur këtë veprim “një padrejtësi të rëndë dhe një akt të vetëdijshëm braktisjeje”, duke theksuar se përgjegjës për këtë gjendje janë Kryeministri Albin Kurti dhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Sot, qytetarët që do të protestojnë në shesh kundër kësaj padrejtësie, do të ngrejnë zërin edhe kundër një padrejtësie tjetër të rëndë – asaj ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mos-pagesa e plotë e mbrojtjes së tyre në Gjykatën Speciale është një turp institucional dhe një akt i vetëdijshëm braktisjeje. Për këtë padrejtësi janë drejtpërdrejt përgjegjës Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu – të cilët kanë refuzuar të përmbushin obligimet ligjore dhe morale ndaj mbrojtjes së atyre që luftuan për lirinë tonë.
Kjo është një njollë që koha vetëm do ta thellojë – për Albinin, për Albulenën dhe për të gjithë ata që heshtin përballë kësaj padrejtësie.”, ka deklaruar Tahiri, duke i akuzuar drejtuesit institucionalë për heshtje dhe papërgjegjësi.

Ai gjithashtu shprehu mbështetjen për protestën e qytetarëve që sot do të mblidhen në shesh për të ngritur zërin ndaj kësaj padrejtësie, si dhe ndaj proceseve që po zhvillohen kundër ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale.

“Por dielli do të lind përsëri. Dhe çlirimtarët tanë do t’i kemi në Kosovën tonë të lirë e të pavarur – aty ku e meritojnë të jenë!”, përfundoi Tahiri.

Link: https://www.facebook.com/share/p/1B7kqh8tco/?mibextid=wwXIfr

Komento: