
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se do të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump në Uashington të hënën.
Ai tha se lideri amerikan foli me të në telefon për më shumë se një orë e gjysmë pasi ishte takuar mbrëmë me presidentin rus Putin në Alaskë.
Lideri ukrainas tha se takimi të hënën do të jetë “për të diskutuar të gjitha detajet lidhur me përfundimin e vrasjeve dhe luftës” dhe shtoi se ishte “mirënjohës për ftesën”.
Ndërkohë, Trump dhe Putin dhanë komente të paqarta pas një takimi disaorësh në Alaska.
“Patëm një takim shumë produktiv dhe u ramë dakord për shumë pika. Kanë mbetur vetëm disa çështje, shumica jo të rëndësishme, njëra shumë e rëndësishme – por kemi shumë mundësi ta arrijmë. Nuk e arritëm ende, por jemi afër”, tha Trump.
Në një intervistë menjëherë pas samitit, Trump u pyet për lëshime territoriale ndaj Rusisë dhe garanci të mundshme të sigurisë për Ukrainën. Ai tha se për këto pika “kemi negociuar dhe jemi dakordësuar në pjesën më të madhe”, pa dhënë detaje.