
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka njoftuar se këtë javë PDK do ta ankimojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila ka legjitimuar vendimin e padrejtë të ZRRE-së, që i detyron mbi 1,300 biznese të dalin në të ashtuquajturin “treg të lirë” të energjisë.
Krasniqi, në një postim në Facebook, ka rikujtuar se PDK që nga fillimi është angazhuar me vendosmëri për ta ndalur ZRRE-në nga zbatimi i këtij vendimi.
“Këtë betejë e nisëm në gjykatat e rregullta, duke përdorur çdo mjet juridik në dispozicion. Por, edhe pse provat ishin të qarta dhe pasojat për ekonominë e vendit evidente, Gjykata Themelore e refuzoi kërkesën tonë, ndërsa Gjykata e Apelit e legjitimoi këtë refuzim, duke i hapur rrugë zbatimit të vendimit të ZRRE-së. Në konsultim me Avokatin Faton Fetahu dhe ekipin e juristëve të PDK-së, kemi konstatuar se tashmë janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore që ky vendim i ZRRE-së të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese, gjë që do ta bëjmë gjatë kësaj jave. Ne do të kërkojmë masë të përkohshme, në mënyrë që ky vendim i dëmshëm të mos zbatohet deri në shqyrtimin përfundimtar të çështjes”, ka shkruar lideri i PDK-së.
Krasniqi është zotuar se PDK do të jetë deri në fund në krah të ndërmarrësve dhe qytetarëve të Kosovës, për ta ndalur këtë padrejtësi të madhe dhe për të mbrojtur interesin publik.
“Ky nuk është vetëm një proces gjyqësor. Është një betejë për të mbrojtur bizneset tona, ekonominë e vendit, punëtorët tanë dhe familjet e tyre nga një abuzim i pashembullt i pushtetit, i cili i ka detyruar qytetarët dhe ndërmarrjet të blejnë energji me çmime 280% më të larta – vetëm për të mbushur xhepat e kompanive të licencuara nga qeveria”, ka theksuar ai.
Link: https://www.facebook.com/share/p/1CSHH7ZXM2/