
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas dështimit të sërishëm të seancës konstituive të Kuvendit, ka thënë se PDK nuk ka vota për Albulena Haxhiun, nuk ka vota as për ministrat e Qeverisë së Albin Kurtit.
Krasniqi ka thënë se të gjithë ministrat e kësaj qeverie, kush më shumë e kush më pak, janë përgjegjës për degradimin e vendit në 4 vitet e fundit.
“Partia Demokratike e Kosovës siç ka thënë këtu prej fillimit, e përsëritë qëndrimin e vet. Ne do të votojmë një kandidat a kandidate të pranueshme nga radhët e partisë së parë, që s’ka qenë pjesë e Qeverisë së Albin Kurtit”, tha lideri i PDK-së para gazetarëve.
Krasniqi theksoi se ky është një kompromis që PDK e ka ofruar për ta tejkaluar krizën institucionale, pa ia kërkuar Lëvizja Vetëvendosje.